TIRANË-  Ish-kryeministri Sali Berisha, në fund të fjalës së tij, tha se sot Shqipëria po boshatiset. Ai prezantoi edhe programin e Partisë Demokratike, kur të vijë në pushtet. Berisha tha se PD do të dyfishojë pagat brenda mandatit të parë në qeverisje dhe do të sigurojë minimumin jetik për qytetarët. Berisha theksoi se vendi ynë do të jetë më demokratik, kur PD të jetë në pushtet dhe larg së keqes e pushtetit të korruptuar të Ramës.

“Brenda një mandati ne do ia dalim, që të dyfishojmë rrogat dhe pensionet, të vendosim minimumin jetik. Do ulim taksën e sheshtë në 10 përqind. Ne më pas do të ecim të sigurt drejt mesatares së rrogës në Bashkimin Europian. Por, Edi Rama shpenzon në mënyrë marramëndëse për luksin e tij. Rrogat e trefishta nuk janë utopi, por janë rrogat që duhet të kishin shqiptarët sot, nëse nuk do të ishin vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur. Shqipëria ka humbur popullatë më shumë se çdo vend tjetër në planet, që janë edhe në luftëra e në konflikte. Shqipëria do mbetet pa shqiptarë, sepse keqqeverisja e ka dërguar në këtë gjendje të rëndë.

Dhe askush nuk kujtohet për këtë fakt, bën sikur nuk dëgjon. Shqipëria është tokë e bekuar, nuk gjenden kund 28 mijë katror që të kenë pasuri si vendi unë. Rama si Pashiçi i Tiranës kreu masakra, duke shkatërruar biznese dhe banesa, i trajtojnë shqiptarët si pushtues i egër. Rama po vepron si Enver Hoxha. Por, ne do u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne do të fitojmë. Vota e lirisë është garancia për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Berisha./Balkanweb/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: