TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha denoncoi sot presionin e jashtëzakonshëm që po bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese për të vendosur zhvlerësimin e përgjimeve të SKY ECC.

Berisha tha se po përdoret në këtë kontekst si pretekst një ankesë që ka bërë i pandehuri Pëllumb Gjoka.

“Sot jam para jush për të denoncuar një nga aktet më të shëmtuara dhe me pasoja më të rënda për këtë vend, presionin e jashtëzakonshëm që po bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese për të vendosur zhvlerësimin e miliona faqeve, mesazhe dhe biseda, të sjella në përputhje me rregullin ndërkombëtar nga partnerët, agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, në të cilat Shqipëria faktohet si një vend që nga bodrumet e kriminelëve dhe mafies gjer në zyrën e kryeministrit, sundohet nga krimi, krimi dhe vetëm krimi. Po përdoret në këtë kontekst si pretekst një ankesë që ka bërë i pandehuri Pëllumb Gjoka.

Çdo i pandehur ka të drejtë të paraqesë në sistemin gjyqësor çdo ankesë, por Pëllumb Gjoka po përdoret vetëm si prestanome sepse në fakt prapa presionit të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese për të zhvlerësuar si dokumente të vlefshëm ligjorë 1 milion faqe, biseda dhe mesazhe midis kriminelëve, në të cilat gjenden, zbërthehen 98 përqind e vrasjeve”, tha Berisha.

Sipas tij, në këto përgjime zbërthehen 95 përqind e të gjitha trafiqeve kriminale, kryesisht kokainës, kanabisit dhe trafiqeve të tjera.
“Zbërthehen 90 përqind të ndërhyrjeve të qeveritarëve në tendera dhe koncesione.
Zbërthehet universi i krimit të shëmtuar kriminalo-banditesk elektoral.
Angazhimi nga Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, qeveritarët vendorë, të të gjithë arsenalit mafioz të nëndheshëm kundër vullnetit të zgjedhësve në Shqipëri.
Pra, Pëllumb Gjoka po përdoret si prestanome, por e vërteta është se mbi gjykatësit kushtetues, presione nga më të paimagjinueshmet po ushtrohen nga narkoshteti me në krye Edi Ramën”, tha kreu i PD.

Berisha tha se PD garanton shqiptarët se Komisioni i të Vërtetës do të jetë përpjekja e saj më madhore dhe programi i saj.

“Një hordhi e tërë zyrtarësh, komisarësh, skrapistësh, po përdor çdo mekanizëm në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila dje në një verdikt historik, do ta quaja në raport me betejën me krimin, i shpalli prova të vlefshme të gjithë gjetjet në serverat e telefonave të koduar, SKY EÇ.
Ju kujtohet qytetarëve se e dashura e McGonigal deklaroi se McGonigal fliste me SKY EC me Edi Ramën.
Prapa kësaj përpjekje të jashtëzakonshme qëndron pjesëmarrja direkte në krime e qeveritarëve nga Edi Rama, Taulant Balla, Agaç e kompani.
Dokumente të shumta faktojnë se këta janë emrat më të qarkulluar dhe se komisarët e policisë që përdoren rëndom, servilen si mish në karrem, janë thjesht ushtarë krahasuar me lejtnantët ministra dhe qeveritarë.
PD, duke pasur luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar si një shtyllë kryesore të programit, garanton shqiptarët se Komisioni i të Vërtetës, i përbërë nga qytetarë, nga zyrtarë, anëtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, do të jetë përpjekja e saj më madhore dhe programi i saj.
Në rast se ne nuk zbardhim, nuk bëjmë publike lidhjet e krimit nga bodrumet gjer tek zyra e kryeministrit, Shqipëria do të mbetet skllave dhe krimi do mbetet vendimmarrësi në këtë vend pa një të ardhme”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb