Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit elektoral në Vlorë, lëshoi një deklaratë të fortë drejtuar grupeve kriminale. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndikuar në vota përmes frikësimit apo ndërhyrjes kriminale do të trajtohet me ashpërsinë më të madhe të ligjit.
“Ju jap fjalën e nderit, ata që implikohen në vota do shpallen terroristë ndërkombëtarë dhe do përballen me pasoja të paimagjinueshme,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se programi i “Shqipërisë Madhështore” synon përfshirjen e çdo qytetari në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.
Sali Berisha: Pastrimi i shtëpisë është një zotim solemn. Shtëpia do të pastrohet dhe shqiptarët do marrin mbrapsht paratë e vjedhura nga këta qeveritarë. Këta qeveritarë që ndërtuan parajsat e tyre mbi taksat e shqiptarëve. do përballen me ligjin.
Pronat e tyre do gjenden kudo që janë fshehur, do u kthehen shqiptarëve.
Grupet kriminale me gërshërët e ligjit do u pritet çdo fije me politike dhe do vendosen para ligjit.
Sot nga Vlora paralajmëroj çdo bandit kudo që ndodhet, se po u implikuat me votat, do të cilësoheni grupe terroriste, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Dhe ua them këtu, se një qime u ndan edhe tani. Donald Trump dekretoi shpalljen grupe terroriste të karteleve të drogës.
Ndaj dhe u them bandave nga Shkodra deri në Gjirokastër e kudo që janë, mos guxoni të frikësoni qytetarët se ju jap fjalën e nderit, do shpalleni terroristë ndërkombëtarë, çka do të thotë se do keni ndëshkime që nuk i imagjinoni ju.
Miq, ky është programi i Shqipërisë Madhështore.
(BalkanWeb)