Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, ku prezantoi alternativën e tij për arsimin, rininë dhe shëndetësinë. Në një fjalim të gjatë dhe kritik, ai e përshkroi gjendjen aktuale të vendit si “një rrokullisje që tejkalon imagjinatën”, duke vënë theksin te gjendja alarmante e sistemit shëndetësor shqiptar.

“Shëndetësia në Shqipëri ka degraduar në një nivel që më rikujton vitet ’60. Kemi katër herë më pak mjekë se mesatarja e BE-së,” u shpreh Berisha. Ai solli shembuj konkretë nga spitalet rajonale, përfshirë atë të Kukësit, që sipas tij, edhe pse ndërtuar me fonde publike, vuan mungesën ekstreme të mjekëve dhe specialistëve.

Berisha shprehu shqetësimin për eksodin masiv të mjekëve dhe studentëve të mjekësisë, duke theksuar se në vitin 2013 Shqipëria kishte një mjek për çdo 600 banorë, ndërsa sot ka vetëm një për 1100. “BE ka një për 300-350 banorë. Jemi larg çdo standardi,” tha ai.

Në fjalën e tij, Berisha foli edhe për problemet sociale, si rritja e varfërisë, mungesa e ushqimit dhe pensionet e ulëta. Ai përmendi një raport të UNICEF që tregon se 21% e familjeve shqiptare nuk i ushqejnë dot fëmijët me më shumë se dy vakte në ditë. “Kjo është një formë e urisë kronike, që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve,” theksoi ai.

Ai përmendi gjithashtu rritjen galopante të çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të pensionistëve, të cilët sipas tij “mbijetojnë vetëm falë ndihmës së të afërmve”.

Në fund të takimit, Berisha e përmbylli me një thirrje për studentët që të jenë pjesë e ndryshimit dhe e cilësoi rininë shqiptare si “potencialin më të madh për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më humane”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb