Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me qytetarë dhe biznese të vogla në tregun industrial, ku prezantoi një sërë premtimesh konkrete që do të ndërmerren brenda 100 ditëve të para të një qeverisjeje të mundshme të PD.
Në qendër të deklaratës së tij ishte amnistia fiskale për të gjitha bizneset e vogla, si dhe amnistia për gjobat e vendosura ndaj qytetarëve, pensionistëve dhe sipërmarrjeve.
“100 ditët e para do jetë amnistia fiskale për të gjithë bizneset e vogla. Do ulim taksat dhe çmimin e energjisë dhe ujit,” – deklaroi Berisha.
Ndër premtimet kryesore, ai përmendi uljen e çmimit të energjisë elektrike për biznesin e vogël nga 18 në 6 lekë për kWh, rritjen e kufirit të të ardhurave pa taksa nga 140 mijë euro në 180 mijë euro dhe përgjysmimin e tarifës së ujit.
Berisha theksoi se mbështetja për biznesin e vogël është një prioritet strategjik, pasi ky sektor përbën motorin e punësimit dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Ai shtoi se PD është kundër çdo lloj amnistie për të ardhura të paligjshme, duke theksuar:
“Ky donte të bënte amnisti për trafikantët. Jo, nuk e bëjmë ne atë. Ato para po rrëzojnë ekonominë përtokë.”
Në fund, Berisha u ndal edhe te premtimi për vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh, duke e konsideruar si një masë të domosdoshme për të garantuar dinjitetin ekonomik të çdo qytetari.
“Minimumi jetik nuk është luks. Është domosdoshmëri për të përjashtuar dhimbje të panevojshme,” – tha ai.