Kreu demokrat Sali Berisha akuzoi pasditen e së premtes zv.Kryeministren Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, se një rrugë që ndërtohej me 800 mijë euro/km, e ndërtoi me 3.4 mln euro kilometrin.
Berisha iu referuar rrugës Korçë-Ersekë, për të cilën tha se 18 km e parë përfunduan brenda dy viteve me kosto 800 mijë euro kilometri, ndërsa për 11 vite u ndërtuan 17 km me kosto 3.4 mln euro për kilometër.
“Rruga Korçë-Ersekë miqtë e mi përfundoi pas 13 vitesh, dhe dua t’u informoj këtu se, për ndërtimin e 17 kilometrave rrugë u deshën 11 vite. 18 kilometrat e para të rrugës Korçë-Ersekë përfunduan brenda 2 viteve me një kosoto 800 mijë euro kilometri.
Merrini të dhënat, shihini. 800 mijë euro kilometri. Çfarë ndodhi me 17 kilometrat e tjera?
Pra, në qoftë se 18 kilometrat e para u ndërtuan me 15 milionë euro, 17 kilometrat e dyta të rrugës u ndërtuan me 54 milionë euro. U ndërtuan me një çmim 4 herë më të lartë.
Po këto nuk shkojnë për të sëmurët, nuk shkojnë për shkollat, këto shkojnë për vital, për kontot e fryra bankare edhe kanë moral këta të dalin të kërkojnë vota”, tha Berisha.