* Berisha-Ahmetajt: Ke udhëtuar 17 herë me charter
* Topalli-Ahmetajt: Ke investuar për koncesionin e TVSH-së, deklaro pasurinë!
* Topalli: Cani u shkarkua se kundërshtoi koncesionin e TVSH-së së Ahmetajt
TIRANË- Ish kryeministri Sali Berisha komentoi në Parlament ndryshimet në kabinetin qeverisës, një ditë pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, shkarkimi i Canit nga financat është një akt megakorruptiv, ndërsa vijoi se edhe emërimi i Ahmetajt në këtë post bëhet për të vjedhur TVSH-në e shqiptarëve.

“Të nesërmen e vizitës së Kerryt shkarkohet në një akt megakorruptiv të pashembullt, por që është viktima e parë në memorien time i një ministri që shkarkohet se nuk donte të lejonte një akt korruptiv. Unë dua ti përshëndes ata punonjës të ministrisë që pranuan shkarkimin në vend të aferës. Ahmetajn nuk e lidh asgjë me financat, është si miu në kafaz asgjë s’merr vesh. Tërhiqu nga kjo aferë, mos u bë faktor për destabilizim të vendit. Nuk do pranojmë që kryeministri të vjedhë TVSH nëpërmjet teje! Po fut dorë në TVSH e shqiptarëve, e paguajnë shqiptarët në çdo gotë ujë, bukë, qumësht. Tërhiqu nga kjo aventurë mos u bë simboli më i urryer në pluralizëm për vjedhje”.

Berisha nuk nguroi t’i kujtojë Ahmetajt, ato që i quajti aferat e tij të mëparshme. “Në mandatin e parë si zv.ministër vodhe mbi 800 impulse në telekomunikacion, ti zotëri që je këtu në 2005 si u largove ti nga Shqipëria? E kalove si shkelës kufiri dhe njeriun që e ka shoqëruar me valixhet me euro e ka shoqëruar policia greke. Shkoi në Rumani kërkoi azil politik, ndërhyra që të mos ia jepnin. Pagoi shuma marramendëse dhe e mbylli por s’ka për ta mbyllur kurrë. Atë që s’pranoi ta bëjë Cani, merr misionin për ta bërë një njeri që në jetën e tij nuk ka lexuar qoftë konceptin më elementar të financave. A mund të rrimë në duarkryq para kësaj vjedhjeje? Kërkoj të japësh dorëheqjen e të mos e çosh vendin aty ku nuk duhet të shkojë. Nuk e kalon më kufirin edhe me valixhe, ti nuk mund ta merrje kurrë këtë mision, do i bësh vendit gjëmë të madhe”.

Pas kësaj ka reaguar deputeti socialist Taulant Balla, duke i thënë ish-kryeministrit Berisha se “në dy herë në pushtet, vetëm piramida ke lënë mbrapa”.

“Ky ishte fjalimi fjalë për fjalë i fushatës 2008, ku edhe morët shuplakat kundër. Këtë fjalë mbajte edhe kur dhe fjalimin e dorëheqjes nga kryesimi i PD. Me përjashtim të lotëve të gazetares së TVSh-së, asnjë shqiptari nuk i erdhi keq që u ndëshkove. Mos fol për arritje se vetëm arritje që nuk ke. Dy herë që ke qenë në pushtet vetëm piramida ke lënë mbrapa, atëherë me Suden e tani me borxhet që le mbrapa”, tha deputeti Balla.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Berisha u ndal dhe tek shkarkimi i kreut të FRESSH, Joleza Koka.
“Ti zv.kryeministër e shkoje aty për të bërë avokatin e prerjes kriminale të drurëve të Tiranës. Madje dhe kryetari i bashkisë; po ça bëni kështu xhanëm? Ka një rregull, apo jo? Po ca bëni kështu xhanëm. Po ja ua bëj unë mbledhjet ju, jua numëroj të gjitha. Unë nuk ndërhyjë në punët tuaja. Po dhe Vasilika i hëngri kokën Jolezës që merret me Fb. Nuk merrem me këto unë. Këta këtu mbrapa bëjnë si gangster. O flet ministri ashtu? Po çfarë e çon Peleshin të shkojë të mbrojë Maznikun? Korça të bëri zv.kryeministër.”, tha deputeti Berisha.

Ndër të tjera Berisha e akuzoi Ahmetajn se ka udhëtuar 17 herë me charter. “Kam qenë president dhe kryeministër, por s’ja kam lejuar vetes asnjëherë që të udhëtoj me charter, ti ke udhëtuar 17 herë”.

E menjëhershme ka qenë dhe replika e ministrit Ahmetaj, i cili nga foltorja e Kuvendit iu kundërpërgjigj Berishës sa i takon akuzave për diplomat. Ndër të tjera, me ironi Ahmetaj falënderoj Berishën për fatin se e përmendmi ministrin si student që mori pjesë në grevën e urisë gjatë shembjes së diktaturës.

“Falënderoj që e kujtoj ditën e grevës. Nuk e mbaj vetën për trim, edhe pse kam qenë. Rri i qetë (i drejtohet Berishës). Kam qenë student i grevës së urisë dhe me atë diplomën time modeste, të parën, pastaj erdhën dhe diploma t tjera, edhe pse nuk është risi publike, ndaj fëmijët e mi dhe të tutë.”, tha Ahmetaj.

“Çoji faktet në prokuroi, dhe nëse vërtetohet një firmë kundër ligjit dorëhiqem, dhe betohem për kokën e dy vajzave të mia. I kam të verifikuara të gjitha vizitat e mia zyrtare. Ditën që shkoj në detyrën e ministrit të Financave, do punoj ashtu si kam bërë deri më tani nga mëngjesi në darkë, e padyshim që pranoj edhe ndihmën e atyre që kanë eksperiencë e mund të më japin ndihmë”, tha Ahmetaj.

BERISHA: RAMA DËSHTOI TË BËHEJ DHJETORIST
Ish-kryeministri Berisha teksa iu rikthye lëvizjes studentore të dhjetorit dhe grevës së urisë, pohoi se Edi Rama dështoi të behej dhjetorist.

“Rama dështoi të bëhej dhjetorist. Kur ne na kërciste arma kokës, Edi Ramës nuk i lëvizte një qime floku. Rama tha; në çdo shtyllë duhet të varim një komunist. Pasi foli, i thash; Po atë babën tënde ku do e çosh? E më tha; atë do varë të parin. PE unë i thash ‘epo ne jemi Partia Demoktratike dhe nuk varim njeri’. Më pas i doli piktorja, dhe i tha para se të vish këtu, dëno krimet e babait tënd. Ndaj t’ju them të vërtetën, i thash lërë. Ndaj i thanë Ramës, që nëse do të japësh mend këtu, dënoi krimet e babait tënd e më pas jep mënd. U nis, la takimin dhe s’u qas më. Tani i ka hyrë mendja të bëhet dhjetorist. Qante, se po të lexosh intervistën e tij të fundit tha se ; ne bëjmë akte barbare.”, tha Berisha.

Teksa iu kundërpërgjigj deputetit Taulant Balla, Berisha tha se deputeti i majtë do të përballet me gjykatën për shpifjet që ka bërë në drejtim të vajzës së tij, Argita Malltezi.
“Je dënuar disa herë nga gjykata dhe do dënohesh përsëri. Ai që thua ti ime bijë se ka takuar më. Ti je i pafytyrë dhe je dënuar 5 herë nga gjykata si shpifës dhe do përballesh shumë shpejt në gjykatë me këtë që bërë. Edi Rama nuk mbrohet me shpifje. Ai merr si dëshmitar njerëz që rrinë tek qershia.”, tha ai.

TOPALLI: T’I DORËZOSH FINANCAT AHMETAJT, DO TË THOTË TË URRESH KËTË VEND. DEKLARO PASURINË!
Deputetja demokrate Jozefina Topalli tha në seancë se e kishte paralajmëruar kundërshtimin e Ministrit të Financave për koncesionin e TVSH-së. Topalli deklaroi se qeveria Rama po përballet me akuza për koncesionet dhe mënyrën si po i menaxhon financat e shtetit.

“Për Ahmetajn jam ngritur në seancë dhe kam folur për një letër të Canit që i drejtohej Ramës ku thuhej se nuk mund të bëhej koncesioni i TVSH-së. Pa kaluar 3 javë kryeministri e shkarkon dhe e zëvendëson pikërisht me ministrin, për të cilin media investigative thotë se ka investuar koncesionimin e TVSH-së. Qeveria Rama po përballet me akuza dhe hetime për koncesionet dhe mënyrat se si po menaxhon financat e shtetit”, deklaroi Topalli.

Më tej ajo i kërkoi përgjigje Ahmetajt për akuzat e ngritura si dhe të deklarojë pasurinë para se të bëhet ministër i Financave.

“Zoti Ahmetaj këtij parlamenti duhet t’i thotë nëse kjo që shkruan media është e vërtetë. Nëse është e vërtetë kryeministri ka probleme shumë të rënda me qytetarët. E dyta, para se të marrë financat e shtetit në dorë, ministri duhet të deklarojë sa është pasuria e tij. Këtë ua ka borxh qytetarëve. Në një vend ku ekonomia është aty ku thërret kiameti, borxhi ka shkuar 1.2 mld dollarë, ndërkohë që taksat shtesë janë po 1 mld dollarë, të ardhurat 300 mln, të vendosësh në krye të financave të shpartalluara këtë njeri është ta urresh pa fund këtë popull dhe këtë vend. Uroj që Cani t’iu shpjegojë shqiptarëve shumë gjëra për të cilat nuk ka folur”, theksoi Topalli.

Ajo akuzoi ministrin e ri se i ka shpëtuar drejtësisë me një aferë korruptive me kompaninë “HERMES”, e cila në vitin 2000 lidhi një kontratë për disa shërbime që nuk i ofroi kurrë.

Ajo gjithashtu tha se Ahmetajn është bashkaksioner në këtë kompani së bashku me Vilma Nushin, njeriun që ka marrë me koncesion checkup-­in dhe shumë tenderë të tjerë pa garë.

(ma.ar/el.sp/ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb