Mbushen plot 25 vjet, që nga dita kur shqiptarët i thanë “jo” Kushtetutës së propozuar nga maxhoranca e djathtë në pushtet. Ishin rreth 53% e pjesëmarrësve në referendum, që votuan për “jo”, në 6 nëntor të vitit 1994. Hamdi Jupe, asokohe gazetar, që ndoqi hap pas hapi opozitën e majtë, me liderin Fatos Nano në burg, na tregon se çfarë ndodhi çerek shekulli më parë.

Cila ishte situata politike dhe ekonomike në Shqipëri, si u zhvillua fushata, pse opozita pas shumë dilemash vendosi të marrë pjesë në referendum, pse u votua kundër projekt-kushtetutës, ku vetëm një pjesë fare e vogël e kishin lexuar atë… gjithçka në “Shënimet e gazetarit”.

Nga HAMDI JUPE

REFERENDUMI QË RRËZOI KUSHTETUTËN

Më 6 nëntor të vitit 1994, populli shqiptar u thirr në referendum kombëtar për miratimin e Kushtetutës. Në shtetin 82-vjeçar shqiptar, ky ishte i pari i tillë. Një komision i posaçëm parlamentar vendosi, vetëm me votat e maxhorancës të Partisë Demokratike, të miratojë një projektkushtetutë që nuk kishte mbështetjen e opozitës. Pas një fushate referendare marramendëse, populli e hodhi poshtë projektin me shumicë dërmuese.

Untitled 48
Untitled 48

PANORAMË JURIDIKE

Në Parlamentin e parë pluralist në vitin 1991, partitë politike kishin miratuar një paketë të përkohshme kushtetuese, që do të shërbente deri në miratimin e Kushtetutës së re. Paketa “Dispozita kryesore kushtetuese” kishte funksionuar si dokumenti themelor i shtetit deri në vjeshtën e vitit 1994. Me zhvillimet e reja politike, ekonomike, sociale etj., kishte lindur nevoja për një Kushtetutë të plotë. Vetë “Dispozitat”, në fundin e tyre, theksonin se çdo ndryshim e plotësim, bëhet me dy të tretat e votave në Parlament. Por raporti i forcave atje, tani ishte i tillë, që kjo gjë ishte e pamundur. Maxhoranca e fryrë parlamentare e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, kishte pësuar fraktura të mëdha, për shkak të krizave brenda vetes. Vendi nuk kishte një ligj për referendumet. Ligji nr. 78 66, datë 06.10. 1994, u propozua në Parlament nga Presidenti i Republikës dhe u miratua vetëm tridhjetë ditë para referendumit, me procedurë të përshpejtuar, pa opozitën që e bojkotoi dhe pa u transmetuar seanca në televizion. Sipas Nenit 2 të këtij ligji: “Referendumi mund të vendosë për të miratuar Kushtetutën dhe amendamentet e saj”. Në fakt, i gjithë qëllimi i ligjit ishte pikërisht Neni 2, për të shmangur Parlamentin nga miratimi i Kushtetutës. Ligji u dekretua nga Presidenti më 11 tetor. Po atë ditë, u shpall prej tij data e referendumit. Ishin vetëm 25 ditë deri te dita e votimit. As që bëhej fjalë për diskutim paraprak të përmbajtjes së projektit në popull. Dukej qartë se çështjet e referendumit ishin qepur “e zeza mbi të bardhë”. Ky nxitim dhe kjo shkelje e procedurave kushtetuese e shqetësoi opozitën dhe opinionin në tërësi. Kali e kishte marrë frerin nëpër këmbë. Por veprimet prandaj edhe bëheshin në atë mënyrë: që opozita të kapej gafil në kohë e të shpallte falimentin politik. Opozita bëri ankesë në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë se ajo, Gjykata, do të shprehej kundër mbajtjes së referendumit. Por Gjykata e shtyu shqyrtimin për në kalendat greke. Tre gjyqtarë të Gjykatës dhanë dorëheqjen në mënyrë publike, në shenjë proteste. Gjyqtarët që u dorëhoqën, ishin zgjedhur në atë detyrë nga po ajo maxhorancë, që tani mbronte referendumin.

SITUATA POLITIKE

Bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës në vitin 1994 ishte një mision i pamundur. Lideri i opozitës, Fatos Nano, prej më shumë se një viti, ishte i burgosur me akuza për “korrupsion”, por që nga opozita konsiderohej si “burgosje politike”. Një numër ligjesh dhe vendimesh të qeverisë po penalizonin njerëzit e opozitës në mënyrë të skajshme. Një ligj famëkeq, 24/1, mbi disa ndryshime në Kodin e Punës, i miratuar menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, i kishte hapur rrugën largimit arbitrar nga puna të mijëra njerëzve, pa të drejtë ankimimi në Gjykatë, me akuzën se i kishin shërbyer regjimit të vjetër. Pas entuziazmit të parë për ndërrimin e sistemit politik, me ardhjen e opozitës në pushtet, shpejt filluan të bien buritë e alarmit se qeverisja e re nuk po sillte rezultatet e premtuara me bollëk në zgjedhje. Ekonomia ishte në kolaps të plotë. Ndërmarrjet shtetërore, ku dikur punësonin mijëra punëtorë, tani po mbylleshin njëra pas tjetrës, sipas direktivës së “terapisë së shokut”. Po flakeshin në rrugë punëtorë e specialistë, që kishin mbajtur familjet me bukë në to. Asetet e mbetura publike po grabiteshin prej drejtuesve e rinj, shpesh pa shkollë. Kjo krijoi pakënaqësi të madhe te njerëzit. Në zgjedhjet për qeverisjen vendore, të zhvilluara më 26 korrik 1992, vetëm katër muaj pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, ajo pësoi humbje shokuese. Nga 67% të votave të popullit që kishte marrë më 22 mars të atij viti, tani, pas katër muajsh, elektorati u nda në gati përgjysmë midis maxhorancës dhe opozitës. Shtypi i shkruar ishte nën represion të hapur. Mungonin totalisht mediat e pavarura elektronike. Radiotelevizioni shtetëror ishte tërësisht nën kontrollin e pushtetit. Gazetarët që kritikonin qeverinë, shpesh burgoseshin me akuza absurde. Një gazetar i “Koha Jonë” u burgos vetëm sepse botoi një shkrim me titull. “Tanket shkuan drejt veriut”, me akuzën për “nxjerrje të sekretit shtetëror”. Në këto rrethana, një mendje e kthjellët do të thoshte se nuk duhej shkuar në popull për Kushtetutën, por duheshin kërkuar rrugët e bashkëpunimit dhe të konsensusit me opozitën.

“TË HYJMË A TË MOS HYJMË, KJO ËSHTË ÇËSHTJA”

Në Partinë Socialiste, partia kryesore e opozitës, ranë sirenat e alarmit. Të hyjmë a të mos hyjmë në referendum, kjo ishte çështja. Të dyja alternativat kishin argumente. E para: Të mos hyjmë, se referendumi është antikushtetues. Dispozitat kushtetuese e thonë qartë se Kushtetuta miratohet me dy të tretat e votave në Parlament. Ne vetë e kemi ankimuar referendumin në Gjykatë. Atëherë, përse të bëhemi bashkëshkelës të Kushtetutës? Edhe koha për fushatë nuk është e përshtatshme. Berisha na ka lënë vetëm 25 ditë për të. Si do t’i takojmë njerëzit tanë e të bëjmë fushatë për kaq pak kohë? Prandaj, të mos hyjmë. Alternativa e dytë: Të hyjmë në referendum dhe të fitojmë. Populli është me ne, opozitën. Ne kemi fituar në zgjedhjet lokale të zhvilluara dy vjet më parë. Përse të mos fitojmë tani? Pakënaqësia ndaj pushtetit është rritur. Po nuk hymë ne në Referendum, Saliu do bëjë ç’të dojë, do mbushë kutitë e votimit dhe do thotë “U miratua Kushtetuta”. Prandaj, të hyjmë. Këto debate zhvilloheshin në Kryesinë dhe në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, forumi kombëtar drejtues i Partisë. Ky u thirr me urgjencë dhe u drejtua nga nënkryetari Servet Pëllumbi, i cili praktikisht drejtonte partinë. Nuk ka kohë për të komunikuar me kryetarin e burgosur Nano, që ndodhet në Tepelenë. Në rend të ditës së mbledhjes: të hyjmë apo të mos hyjmë në referendum? Gjashtë orë debat me argumente dhe kundërargumente. Merret vendimi: Brenda njëzetekatër orëve të mblidhen të gjitha forumet e partisë në rrethe. Të diskutohet atje me përgjegjësi dhe të merret vendim sesi do të bëhet. Brenda 48 orëve, të mblidhet përsëri KPD dhe të vendosë, mbi bazën e vendimeve të marra në terren. Ashtu bëhet. Mbledhja e dytë është e shkurtër: Kush është dakord për të hyrë në referendum, të ngrejë dorën. Mbi 70% e pjesëmarrësve votojnë “pro” hyrjes.

Izeti
Izeti

RTSH, NË FUSHATË PËR “SHPËLARJE TRURI”

Makina propagandistike “pro” Kushtetutës filloi me shpejtësi nga puna dhe drejtohej nga Presidenca, sepse ai ishte “arkitekti” i referendumit. Kamerat e shumta të televizionit shtetëror filmonin në plane të afërta turmën e njerëzve në mitingjet e tij anekënd vendit. Kjo bënte që, në një takim ku ishin, të themi, 50 vetë, të dukeshin sikur ishin 500 e kështu me radhë. Në mitingjet e Berishës importoheshin njerëz nga Tirana ose rrethe te tjera pranë. Pamjet e filmuara në një miting në Krujë, transmetoheshin pastaj sikur të ishin të një mitingu në Pogradec, ndërsa në mitingun e Patosit, Presidenti u drejtohej të pranishmëve me shprehjen: “Të nderuar qytetarë të Roskovecit”. Presidenti lëvizte gjithmonë me helikopterë të Ushtrisë, nga njëri rreth në tjetrin, duke zhvilluar nga tetë mitingje në ditë. Këshilltarët e Presidentit, të pranishëm në mitingje, shpërndanin në turmë, para kamerave televizive, broshurën e projektit të Kushtetutës. Populli me fytyra të “lumtura” për këtë dhuratë “të çmuar”, merrte në duar aktin themelor të shtetit që ia jepte vetë Presidenti, shpeshherë me autograf. Ata falënderonin “nxehtësisht” Presidentin për këtë “dhuratë”. Një fotografi e vjetër e Enver Hoxhës, që u shpërndante fshatarëve tapitë e tokave në vitin 1946 në Lushnjë, nuk ishte asgjë para këtyre pamjeve fantastike të tanishmeve, që transmetoheshin me zë e figurë në televizion. Filmimet e takimeve dhe fjalimeve të Presidentit montoheshin nga vetë zëdhënësja e tij e shtypit, dikur gazetare e televizionit. Zërat thoshin se i gjithë televizioni shtetëror është kthyer në studio në shërbim të fushatës së Presidentit. E saktë është ajo që dukej në ekran: kronikat e mitingjeve të tij për referendumin zgjasnin deri në 27 minuta secila. Populli bombardohej gjatë 24 orëve me këto kronika, duke harruar parimin e njohur se, teprimi me televizionin, bën efektin e kundërt te shikuesit. Atmosferë referendare: “Na pri, Komandanti ynë! Kushtetutën nuk ua prura unë. Atë e gjeta mjedis jush.”

Radiotelevizioni shtetëror, në vend që të shpëlante trurin e popullit, po shpëlante kështu trurin e atyre që e organizonin këtë fushatë, duke i bërë ata vetë të besonin se ajo “çorbë” që shpërndahej në ekran, ishte e vërtetë. Ja si e përshkruan poeti Dritëro Agolli këtë rol të TVSH-së në një artikull të tij një javë pas referendumit: “Ekipi i RTV-së ka dhënë me një vërtetësi të mahnitshme panoramën epike të udhëtimeve të kalorësve tanë nëpër atdhe, me veprën kolosale në duar, vepër që mori emrin Kushtetuta e Referendumit. Mua ende nuk më hiqen nga sytë skenat televizive me helikopterë dhe vetura, me furgonë, me kioska me rrota, me motorë, me kuaj, me rapsodë, me poetë, me gjuhëtarë, me akademikë, me ministra, me presidentë e me kryetarë. Nuk më hiqen nga mendja tablotë me turma të mallëngjyera, pas dhënies së besës ndaj Presidentit, një besë burrash që e mbajtën deri në fund, për të votuar për Kushtetutën. Këto turma zgjasnin duart drejt prijësit, qanin e qeshnin, betoheshin dhe brohorisnin. Prijësi merrte lule nga burrat e besës, i fuste në xhepin e xhaketës dhe pastaj njërën dorë e vinte në buzë në shenjë puthjeje dhe me tjetrën ua hidhte lulet që i tepronin përsëri njerëzve dhe ata prekeshin pa masë. Tablo të tilla pa këtë ekip televiziv nuk kishte si t’i shihnim”.

ZËRI I OPOZITËS

Opozita, nga ana e saj, e përbërë prej 60 partive të majta e të djathta, kishte zgjedhur të përdorte në fushatë një gjuhë përgjithësisht të thjeshtë dhe të kuptueshme për popullin. Kishte njëlloj “ndarje rolesh”. Nënkryetari Pëllumbi, që udhëhiqte fushatën, përdorte një gjuhë më të zgjedhur, më të përpunuar e më të kultivuar për t’iu drejtuar votuesve, ku ruhej njëfarë elitarizmi në të folur dhe ku përmendeshin disa elemente kryesore të projektit të Kushtetutës, ashtu siç e donte çasti i fushatës dhe siç ishte vetë kultura e profesorit, sado që e thjeshtë dhe e kuptueshme. Nënkryetari tjetër i PS-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar, Namik Dokle, përdorte në fushatë një gjuhë më të drejtpërdrejtë popullore, të mbushur me shprehje frazeologjike të krahinave të ndryshme të tipit: “Mos e hani sapunin për djathë!”; “Më mirë djepin bosh, sesa shejtanin (kupto: Kushtetutën e Berishës) brenda”; “Berisha kërkon të bëhet mbret, po ne nuk do ta lejojmë” etj. Këto slogane aq të njohura nga populli, ishin shumë më të efektshme, sesa t’u shpjegoje atyre brenda pak ditëve se ku flinte “lepuri” i përmbajtjes së Kushtetutës. Shoqërova si gazetar grupin e drejtuesve të Partisë Socialiste të kryesuar nga nënkryetari Pëllumbi në rrethin e Gramshit, pak ditë para referendumit. Kur shkuam atje, kryetari i partisë së rrethit tha se takimi në qytet do të organizohej në mbrëmje, ndërsa në drekë ishin planifikuar takime në Kukur dhe në Skënderbegaz, dy komuna kodrinore – malore më shumë se një orë larg qytetit. Duke udhëtuar për në Kukur me makinat “Landrover”, me ndenjëse anësore aspak të rehatshme, që të shkulnin veshkat nga vendi në rrugën e paasfaltuar, njeri nga deputetët që shoqëronte Pëllumbin, tha: -E ç’na u desh të vijmë deri këtu? Shpenzim kohe dhe karburanti kot. Kaq vota i mblidhnim në Laprakë në Tiranë. Kur u afruam te qendra e fshatit, pamë të mblidhen atje, sikur mbinë nga dheu, me qindra njerëz dhe filloi orkestra dhe vallja. Të lënë për më shumë se katër vjetësh në vetminë e tyre, pa asnjë lloj përkrahjeje, ata po na prisnin sikur të ishim dasmorë që po çonim nusen. Në fshatin e tyre nuk kishte shkuar asnjëherë një udhëheqës i lartë, siç ishte nënkryetari i opozitës. Ata e kishin parë e dëgjuar në televizor, ndërsa tani e kishin mes tyre. Pëllumbi u ngjit në një tribunë të vogël të ngritur enkas për të, në mes së turmës gjithë entuziazëm, për të mbajtur fjalimin e rastit. Ai tha disa fjali stereotipe, siç thuhen në raste të tilla. I kishte thënë e stërthënë ato sa e sa herë nëpër mitingje të tjera, ditë më parë. Por të thëna këtu, në sheshin e këtij fshati, para atyre njerëzve që e shikonin me sytë që u lëshonin shkëndija nga gëzimi, ishte një gjë e veçantë. Pranë pashë gazetaren e TVSHsë, Tefta Radi, që kishte ardhur për të pasqyruar aktivitetin e opozitës për referendumin. Ajo atëherë konsideroj si “moniste”, sepse kishte punuar në RTSH edhe në kohën e shkuar. Si folëse kryesore e lajmeve, kishte dhënë e para në ekran lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës dhe ky fakt tani ishte një “argument” i mjaftueshëm për ta shpallur atë “të deklasuar” nga ana e drejtuesve të rinj “demokratë” të RTSH-së. Prandaj, ajo, megjithëse mbi dyzetë vjeç, trajtohej tani si reportere e dorës së dytë ose të tretë dhe dërgohej në terren (kupto: orizore), kryesisht për të pasqyruar aktivitetet e opozitës. Kur të kthehej në televizion, natën natyrisht, ajo do të përgatiste një kronikë prej një minute kohë, për të gjitha veprimtaritë që kishte organizuar lideri i opozitës anekënd vendit gjatë ditës. Dhe kjo kronikë njëminutëshe do të transmetohej pastaj aty nga fundi i emisionit të lajmeve, rreth orës 00:00, sa për të thënë që “ja, kemi edhe ne opozitë”. Por ja që edhe ajo minutë transmetim, bënte punën e saj tek elektorati. Të pranishmit në drekën e rastit u zhytën te pjata dhe ngrinin kokën vetëm kur ngriheshin dollitë: Dollia e parë, për fitoren në referendum. Ja gëzuar të gjithëve! Dollia e dytë për Partinë Socialiste. Të na rrojë sa malet. Dollia e tretë për shokun Servet, që na ka ardhur sot këtu, në fshatin tonë. E paçim përjetë. Ta gëzojë shoku Servet! Dollia e katër për kryetarin tonë, shokun Fatos, që u kalb në burg i ziu, ia marrsha të keqen, ia marrsha! Poshtë Sali Berisha! Ashtu, pra, të lumtë goja. Dollia e fundit për shokun Namik, që i këndon goja në Parlament e jashtë tij. Hajt, gëzuar! Ky ishte populli, që pas pak ditësh do të shkonte në votim.

NATA E “JO” – SË 

Në mbrëmjen 6 nëntorit u afruam te selia e Partisë Socialiste. Ishte ende herët për rezultatin, por nuk na mbante vendi. Ankthi i pritjes ishte i madh. Ishin mbyllur kutitë e votimit. Ethet e rezultatit ndiheshin gjithandej. Të gjitha zyrat e partisë ishin në punë. E njëjta gjë ndodhte edhe gjetkë, te “pala tjetër” e Referendumit, te ata që prisnin “PO”–në e popullit në të. Këto ishin zyrat e Partisë Demokratike, të Presidencës dhe ato të qeverisë. Edhe ata prisnin “fitoren plebishitare” dhe bëheshin gati të hapnin shishet e shampanjës. Ata ishin më të qetë se “fitoren e kemi në xhep. A nuk i kini parë mitingjet në televizor?!” Nëpër korridoret e Partisë Socialiste filluan të flisnin për rezultatet. Kishin rënë telefonat e parë nga rrethet. “Fitore, fitore!”. Ishin ende thirrje të përmbajtura, të matura, gjithë drojë e frikë natyrisht, sepse duhej kohë për të kuptuar rezultatin e përgjithshëm. Sidoqoftë, lajmet ishin inkurajuese. Informacionet i dërgoheshin menjëherë nënkryetarit Pëllumbi. Numërimi i votave bëhej në çdo qendër votimi, në çdo fshat apo qytet. Kjo e shpejtonte daljen e rezultatit. Fleta e votimit ishte e thjeshtë, vetëm me dy alternativa, “Po” ose “Jo”. Kolegët gazetarë të mediave të huaja në Tiranë lëviznin sa nga selia e PD-së, tek ajo e PS-së, për të marrë vesh rezultatin. Kur vinin te kjo e fundit, ata thoshin se atje, te PD, nuk të jep njeri informacion. “Atje është një situatë e vakët dhe e ftohtë, sikur ka vdekur njeri”, thoshin. Kjo ishte shenjë se diçka nuk po shkonte mirë në kampin e tyre. Te PS ishin mbledhur shumë nga gazetarët e shtypit të pavarur shqiptar. Ishin aty edhe gati të gjithë liderët e partive të opozitës, me sytë e veshët nga PS. Ata nuk kishin struktura të rregullta të tyre në bazë për të administruar votat. Ata të PBDNJ-së kishin një problem specifik: Sipas një neni të projektit të Kushtetutës, të gjithë krerët e komuniteteve fetare, duhet të ishin shqiptarë. Kështu, me miratimin e saj, Hirësia e tij, Janullatos, duhet të largohej nga Shqipëria. Prandaj ishin rreshtuar totalisht kundër projektit. Berisha që kishte dekretuar ardhjen e Janullatosit dy vjet më parë, tani kërkonte ta zbonte atë me votën e popullit. Rreth orës 22:00, thirrjet për fitore po shtoheshin gjithnjë e më shumë, jo vetëm nëpër korridore, por edhe jashtë. Përpara selisë së PS-së, turma e socialistëve sa vinte e rritej. Po vinin rezultatet e qytetit të Tiranës. Në tri votimet e mëparshme këtu kishte fituar bindshëm Partia Demokratike. Si do të ishte rezultati tani? Njoftimet thoshin se edhe Tirana kishte votuar me shumicë për “Jo”… U largova nga selia e partisë pas orës 12:00 të natës. Rezultati i referendumit tani ishte i qartë, të paktën për opozitën. RTSH nuk kishte dhënë asnjë informacion për përfundimet e tij, as nga ndonjë institucion shtetëror, si Komisioni Qendror i Referendumit, as nga vetë gazetarët e tij. Heshtje totale për verdiktin e popullit të shprehur në referendumin e parë kombëtar në historinë e tij. Dita që po gdhihej nuk kishte as gazeta, se ishte e hënë. Njerëzit filluan të shpërndahen nëpër shtëpi. Rrugët e Tiranës ishin tërësisht të qeta. Asgjë nuk pipëtinte në to, sikur të mos kishte ndodhur gjë e veçantë pak orë më parë. Te selia e Partisë Demokratike, buzë rrugës, nuk dukej këmbë njeriu. “Kur flet sovrani, të tjerët heshtin” Të hënën, më 7 nëntor, konferencë shtypi e Presidentit në Pallatin e Kongreseve. Pritej me ankth reagimi i tij për rezultatin e Referendumit. Do ta pranonte humbjen apo jo? Pëllumbi kishte bërë një deklaratë për mediat e huaja në të gdhirë të asaj dite,që ishte transmetuar në emisionet e tyre të mëngjesit: “Shqiptarët e kanë hedhur në kosh projektin e Berishës. Nëse rezultati i Referendumit nuk do të respektohet, ne do t’i bëjmë thirrje popullit të dalë në sheshe”. Berisha erdhi në konferencën e shtypit në kohën e caktuar. Zi në sallë. Dukej sikur kishte vdekur njeri. Në fakt, kishte vdekur projekti i Kushtetutës. Kryet shëndoshë! Presidenti dukej i lodhur dhe i dërmuar, por po përpiqej të mos e jepte veten. Kishte bërë gati një muaj fushatë nga veriu në jug dhe ja tani, rezultati katastrofik. Ai hapi gojën: “Dje u zhvillua referendumi kombëtar për Kushtetutën. Pjesëmarrja në të ishte e lartë. Rezultatet zyrtare do të bëhen të ditura nga Komisioni Qendror. Por, nga informacionet paraprake që na kanë ardhur, rezulton se shumica e shqiptarëve kanë votuar kundër projektit të Kushtetutës. Verdikti i popullit do të respektohet plotësisht. Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin”.

Berisha po e pranonte humbjen. Sovrani e kishte bërë esëll prijësin, duke e zhytur atë në kazan me ujë të ftohtë, për t’i dalë “rakia” e marrëzisë së madhështisë. Sovrani e kishte shfryrë tullumbacen e Referendumit. Plateja e sallës së konferencës së shtypit dukej si e mbushur me kufoma të gjalla. Shumica në të ishin gazetarë pranë pushtetit, të angazhuar në fushatë pro tij, edhe ata vrer për humbjen. Shumë prej tyre kishin ëndërruar ndoshta ndonjë”shpërblim” për mundimin e bërë. Por çdo shpresë ishte fashitur. Ah, sovran, sovran, ç’na bëre! Presidenti e kishte organizuar gjithçka vetë dhe tani po vetë, po e pinte kupën e “helmit” me fund. U bënë pak pyetje, si në vaki, sa për të thënë: “M’ka çue nana me la gojën”. Berisha doli, ashtu i vrerosur siç hyri. Ishte konferenca më e shkurtër për shtyp që kishte organizuar ndonjëherë. Kur flet sovrani, të tjerët heshtin. Këto fjalë më mbetën në mendje. Berisha po heshtte i pari. Dolëm. Nëpër shtyllat buzë rrugëve valëviteshin ende flamujt laramanë të partive, si leckat e firmës “GAB”-i, të rreckosur prej erës dhe shirave të vjeshtës, të vendosura atje një muaj më parë. Ata do të rrinin atje edhe për shumë kohë, ndoshta deri në fushatën tjetër të zgjedhjeve. Nuk kishte njeri terezi të merrej me ta.

PËRSE U RRËZUA KUSHTETUTA?

Së pari, populli nuk votoi për projektin e Kushtetutës, të cilin nuk e kishin lexuar as një për qind e votuesve. Ai votoi kundër atyre që ia servirën atë projekt. Votoi kundër mënyrës së keqe të qeverisjes së vendit nga ana e Presidentit Berisha dhe e qeverisë së tij; kundër autoritarizmit dhe përpjekjeve për të hedhur në duar të gjitha pushtetet. Ato pushtete, Berisha i kishte marrë në mënyrë të paligjshme edhe më parë dhe populli e kishte provuar këtë në shpinën e tij, ndërsa tani kërkonte t’i ligjëronte me anë të Kushtetutës. Populli votoi kundër trajtimit brutal që pushteti i Berishës po i bënte opozitës politike, duke i burgosur liderin e saj etj. Populli e identifikoi Kushtetutën me Presidentin Berisha dhe prandaj i hoqi vizën asaj. Populli votoi edhe kundër mënyrës sesi RTSH u kthye në vegël qorre të pushtetit në Referendum. Referendumi tregoi se sovrani, edhe pa shumë traditë demokratike, di të thotë fjalën e vet ashtu siç duhet, kur i ka vajtur thika në kockë. Populli votoi kundër asaj halabakërie të pashembullt politike, të paguar nga taksat e qytetarëve të mjerë, që u shfaq në fushatën 25-ditore. Më shumë se 5% e votave (rreth 86 mijë) u quajtën të pavlefshme, sepse në to, sovrani, përveç votimit, kishte shfryrë me laps në letër të gjithë “talentin” e tij në fushën e sharjeve, talljeve e mallkimeve, me të gjithë arsenalin e pasur që ka gjuha e lashtë shqipe në këtë fushë, kundër pushtetit dhe vetë Presidentit. Edhe kjo ishte pjesë e “Jo”-së popullore. (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb