Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar biletën e avionit të Erion Veliajt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në SHBA, siç ka deklaruar, për disa takime të planifikuara më herët.

Berisha tha gjatë një konference për shtyp nga selia blu se Veliaj kërkon të marrë azil në SHBA.

“Ai po mbush komunitetin ndërkombëtar se po persekutohem nga Sali Berisha, e tëra kjo vetëm e vetëm që të marrë statusin e azilantit politik. E ka kërkuar apo nuk e ka kërkuar, këtë nuk mund ta them, biletën ja ku e keni. Në deklaratë tha se do kthehet sot, për dy ditë. Si do shkonte për uikend ai? A ka marrë ai kontakte me vendet e Amerikës Latine apo vendet nordike, ato nuk i di se nuk merrem me gjërat që qarkullojnë”, tha Berisha.

Berisha Bileta E Veliajt
Berisha Bileta E Veliajt

Sali Berisha: Tani, natyrisht nuk mund të mos ndalemi tek problemi i ditës. Unë kam këtu, u kam sjellë këtu, është bileta e Erion Veliajt, i cili thotë se është nisur me datën 28 dhe e ka kthimin me datën 18 janar. Tani, çfarë komenti kam unë. Komenti është ky: skema e përdorur, cilido që ka ABC-në e kodeve dhe ligjeve, ishte mbathja se të arrestuam. Prokuroria në mënyrë bizare, deklaron se i kemi të vërtetuara, unë e di që kanë të vërtetuara, se kanë dokumentet dhe llogaritë bankare të fshehta të tij, i kanë pasuritë, i kanë mashtrimet, se ai thotë më tradhtuan, keni bërë deklarata nën presion, aludon për vjehrrën, Velicën, nuk e di për kë aludon, e vërteta është se në seancën 5-orëshe në prokurori ka rrëzuar çdo gjë që ka mashtruar në seancën 8-orëshe para disa muajsh.

Dhe tani kërkon të fajësojë Velicën dhe vjehrrën, ky i ka bërë vetë, sepse del që kanë renditur aty, thuhet se kanë renditur të paktën minimumi 60 mashtrime, duke krahasuar dëshminë e parë me dëshminë e dytë të tij. Mohimet e dëshmisë së parë dhe faktimet e dëshmisë së dytë. Pastaj thotë ma bënë me hile, më thanë je person për dijeni dhe nuk më thanë se je person në hetim. Ku ka hile kur shkon e mashtron aty, thua nuk kam llogari bankare, nuk kam këtë, nuk kam atë, çfarë hile ka aty. Ligësia e tij ekstreme është se ai po mbush komunitetin ndërkombëtar se po persekutohem nga Sali Berisha, e tëra kjo vetëm e vetëm që të marrë statusin e azilantit politik. E ka kërkuar apo nuk e ka kërkuar, këtë nuk mund ta them, biletën ja ku e keni. Në deklaratë tha se do kthehet sot, për dy ditë. Si do shkonte për uikend ai? A ka marrë ai kontakte me vendet e Amerikës Latine apo vendet nordike, ato nuk i di se nuk merrem me gjërat që qarkullojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb