TIRANË – Tri projektet më të rëndësishme të Sarandës, që u inspektuan dje nga kreu i qeverisë, sipas ish-Kryeministrit të vendit, mbajnë poshtë firmën e tij: Sali Berisha. Dhe, duke mos lejuar që Rama të përvetësojë publikisht, projektet që ka nisur e djathta, Berisha ka paralajmëruar se së shpejti Rama do të inagurojë edhe disa projekte të tjera të nisura po prej qeverisë së tij:

“Thuhet se me Koçon do inaugurojnë së shpejti autostradën Levan – Vlorë e madje dhe rrugën Vlorë – Orikum, ujësjellësin dhe impiantin e ujërave të zeza në Orikum,”- shkruan me ironi, Berisha, duke bërë të qartë se ato mbajnë autorësinë e tij.

“Rama inspektoi dje në Sarandë dy vepra publike: landfillin e Bajkaj dhe impiantin e përpunimit të ujërave të zeza për Sarandën, – shkruan Berisha. – Të dyja këto vepra të një rëndësie jetike për Sarandën, të cilat ai u përpoq indirekt t’i paraqiste si të qeverisë së tij, janë projektuar, janë financuar dhe u janë inauguruar punimet nga qeveria e Partisë Demokratike me përkatësisht 5 dhe 8 milionë euro.”

Ndaj, më pas, pa e kursyer ironinë e tij, Berisha bën krahasimin se cilat janë investimet e së majtës:

“Në pothuajse 2 vjet, qeveria Rama ka inauguruar vetëm 6 zyra të Erion Velisë në rrethe, edhe ato rikonstruksion. Një muaj më parë Rama paraqiti spitalin e urgjencës, investim prej 23 milionë eurosh, të inauguruar në vitin 2012 si vepër të qeverisë së tij. Pasi mediat e tallën, ai shkoi të nesërmen në spital për të inspektuar bunkerin e materialeve të akseleratorit, një gropë e betonuar 3 – 4 m si investimin dhe punën më të rëndësishme publike në shëndetësi,” – përfundon Berisha.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb