TIRANE- Gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohej për shembjen e Teatrit, nuk munguan akuzat e opozitarëve për ngritjen aty të një kulle 45 katëshe.

Gjatë fjalës së tij ish-kryeministri Sali Berisha tha se Rama ka “rrjedhur” ndaj i ofendon artistët. Ai po ashtu u mor gjatë edhe me vilën e tij në Surrel.

“Po kush ta ndërtoi atë studion ty nën kryegjyshatë? Me çfarë paresh? Po kush ta ndërtoi Surrelin ty? Me çfarë paresh e ndërtove Surrelin? E dini që janë 315 gardistë të angazhuar për të ruajtur fshatin Surrel? A e dini se si hajnë të shkretët? Hajnë në stola, s’kanë ku rrinë por vetë jeton në saraje ky. Vetëm xhami tavanit i ka kushtuar 170 mijë euro se është super-special. 70 mijë euro ka bërë vetëm pigmenti i bojës së vilës. Një batalion policie ruan rrugën nga Surreli deri në Kryeministri. Se burrë më frikacak bota s’ka më të madh se këtë. E patë vetë që u fut në vrimën e miut. Ndaj lëri ato, s’mund të gënjesh t’i artistët. Aty ke parashikuar kullën 45 katëshe. Ke parashikuar të marrësh për vete nja 4-5 kate të mira njëherë. Po lufton dhe ndrikulla të marri diçka, siç thonë qytetarët. Të vërtetat këto janë, ja u tha juve zonja Tabaku. 178 milionë euro iceneratorë, të gjitha vjedhje dhe vetëm vjedhje prej të paktën 130 milionë. Me cilin? Me Hermesin e tij, i cili pasi vodhi shkoi të ndërtonte strehim politik në Rumani (Ahmetaj). Ky zotëri arrin të bëj 9 akte në një ditë. Po pse? Sepse absolutisht i paguan këtij këtu (Ramës) të paktën gjysmën e atyre që vjedh se përndryshe s’bën dot kurrë 9 akte në një ditë. Do tu lutesha shumë atyre parlamentarëve britanikë t’ja u përçojnë atyre kolegëve të këtyre këtu, këtë kërkesë timen: Nëse doni miq dhe kolegë, nëse doni një kryeministër që bën 9 akte në një ditë shkoni se e keni bashkë me ministrin e tij në Tiranë se vetëm aty ndodhin këto dhe bëjnë vaki”,- u shpreh Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: