TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha ka shpallur sot ndryshimin në programin e PD-së që ka të bëjë me një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.

Berisha tha se ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë, të përmbysë skemën e deritanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale pavarësisht nga aktiviteti i tyre.

“Sot jam para jush për të shpallur publikisht para shqiptarëve një ndryshim rrënjësor në programin e PD-së. Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD-së parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri. Të dashur qytetarë shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë. Parti e iniciativës së lirë, nuk beson kurrë PD se duke luftuar iniciativën e lirë mund të luftojë varfërinë, por ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë, të përmbysë skemën e deritanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale pavarësisht nga aktiviteti i tyre. Sot Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë në Europë dhe ndër më të lartat në botë të varfërisë së popullatës, por edhe të mjerimit të cilat nga një shpërndarje çnjerëzore e të ardhurave , nga plaçkitja masive e tyre dhe burimeve natyrore ka arritur qe varfëria e skajshme të rritet nga 1.04 në 3.4 % dhe varfëria relative të kalojë në 46% dhe kjo është një sirenë alarmi, klithme që buçet pothuaj në gjysmën e vatrave shqiptare”, tha Berisha.

Ai theksoi më tej se, përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit.
“Kemi shpallur para jush minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë. Rritjes së pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik. Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë. Por, analiza e të gjitha këtyre masave, ballafaqimi i tyre me realitetin, tregon se janë të domosdoshme një seri masash të tjera.
Rikujtoj shqiptarët se italianët karshi nesh kanë nivelin e varfërisë ndën 780 euro, por u rikujtoj gjithashtu se italianët blejnë ushqimet në dyqanet e tyre më lirë se shqiptarët. Më lirë se shqiptarët, të cilët vetëm për ushqimet shpenzojnë 40 përqind të të ardhurave të tyre. Pra, unë nuk them se shqiptarët do arrijnë nivelin e italianëve, jo, nuk është ky synimi. Por synimi është një rishpërndarje tërësisht tjetër e të ardhurave dhe pasurive natyrore.
Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur nga qytetarët në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet.
Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit”, deklaroi kreu i PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb