Ish-kryeministri Sali Berisha i vënë nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizani” do të paraqitet sot në SPAK. Ky ishte vendimi i Apelit të GJKKO i marrë nga gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi të premten i cili vendosi detyrim paraqitje për kreun e PD.

Berisha do të paraqitet në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji.

Dy prokurorët, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kundërshtuan nxjerrjen nga izolimi të liderit demokrat në Gjykatën e Apelit. SPAK kërkoi rikthimin e Berishës në masën e arrestit të shtëpisë, masë nga e cila ai doli në 27 nëntor 2024 me vendim të GJKKO.

Por e sotmja do të jetë një ditë e ngarkuar për Sali Berishën. Paralelisht me paraqitjen në SPAK, kryetari i PD do të presë vendimin e rëndësishëm, atë të vetë fatit të dosjes “Partizani” nëse do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit.

Vendimi do të merret nga gjyqtarja Flojera Davidhi e cila e nxori kreun e PD nga arresti shtëpiak pas 333 ditëve.

Ndërkohë, PD ka thirrur mbështetësit në protestë para SPAK në momentin kur Berisha do paraqitet para oficerëve të Policisë Gjyqësore. PD si organizatore e protestës akuzon Prokurorinë e Posaçme se po përndjek liderin e opozitës.

Si funksionar i lartë shtetëror që dyshohet se ka kryer korrupsion, Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit, akuzohet edhe për pastrim parash.

I dyshuar, është edhe ndërtuesi, Fatmir Bektashi, që kreu punimet për 17 kullat në ish- kompleksin sportiv, Partizani dhe noterja, Andia Pustina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb