Etrit Berisha, portieri i Kombëtares i grumbulluar për sfidën miqësore të 26 marsit kundër Norvegjisë, ka rrëfyer sot për përgatitjet që po bëhen në kuadër të kësaj sfide.

29-vjeçari në konferencën për shtyp ka folur për shumë çështje, mbi të gjitha për konkurrencën në ekip me Thomas Strakoshën.

Cila është gjendja juaj pas dëmtimit muskulor?

Jam në një periudhë që do ta shikoj ditë pas dite. E kam një dëmtim në muskulin e kofshës. Po të jem në gjendje do mundohem të ndihmoj skuadrën. Kemi edhe disa ditë në dispozicion. Mund të them që duke filluar nga trajneri që është jashtëzakonisht i motivuar dhe mundohet ta transmetojë të ne. Jemi një ekip në zhvillim dhe kemi treguar që jemi një grup që mund të bëjmë diçka të mira në këtë ndeshje dhe në garat e tjera. Lojtarët e rinj kanë qenë të mirëseardhur dhe shpresoj ta ndihmojnë ekipin.

Nga Izraeli në Izrael, sa ndikon mentaliteti i kombëtares, vetbesimi, forca?

Për Izraelin ka kohë. Tani jemi duke menduar për miqësoren. Do t’i vijë radha edhe Izraelit dhe Skocisë. Duhet të vazhdojmë me ritmin e paraqitjes së Turqisë. Vetëbesimi i ekipit do të ritet akoma më shumë.

Një opinion për grupin e Ligës së Kombeve

Me siguri janë ekipe të forta. Skocia do të jetë kundërshtar i vështirë. Në shtëpi janë jashtëzakonisht të fortë. Janë ekipe që mund të matemi mirë. Kemi lojtarë që mund ta kalojmë grupin.

Cfarë përshtypje ju lë grupi i tanishëm

Është një grup shumë i mirë. Është bërë një kombinim i lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Duhet një kombinim i tillë që të ketë sukses. I kam parë edhe prurjet e reja. Kanë qenë jashtëzakonisht me kualitet. Janë lojtar të rinj që në të ardhme mund ta ndihmojnë shumë ekipin.

Në Kombëtare a ka rivalitet mes jush dhe Strakoshës?

Strakoshën e njoh edhe në kohën kur isha te Lacio. Kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mirë. Mundësia më e mirë për zhvillim është konkurrenca. Porta është e garantuar me cilin do nga ne.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb