TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot disa dokumentet që sipas tij tregojnë shndërrimin e Thesarit të Shtetit në thesarin e Partisë. Ai deklaron se Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit përdorin Thesarin e Shtetit për të financuar LSI-në.


“Thesari i Shtetit shndërrohet në thesarin e Partisë. Rast unik në botë! Të dashur miq, në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër në botë, Thesari i Shtetit është shndërruar në thesarin e partisë.  Këtu kemi listë pagesat sesi Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit përdorin Thesarin e Shtetit për të financuar LSI. Nga Thesari i Shtetit, pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, kanë kaluar pagesat në llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim me përshkrimin “Min. Mjedisit kuotë partie gusht 2015” siç janë bërë edhe të shumë muajve të tjerë përgjatë 2015. Duket se në këtë vend institucioni shtetëror është bërë anëtar i LSI dhe si i tillë paguan kuotizacion, ndërsa Thesari i Shtetit kthehet në llogaritar të LSI. Ky është shembull i keqpërdorimit më ekstrem i institucioneve publike që kthehen në leva partie në kundërshtim me dispozitat ligjore. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi këtë skandal të paprecedent, në të cilin duart e zeza të partisë, kovat e saj mbushen direkt në kundërshtim flagrant me çdo ligj nga Thesari i Shtetit duke shndërruar atë në thesar të partisë!”, shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.


(m.k/BalkanWeb)


Etiketa: