Kreu i PD Sali Berisha akuzoi ish-ministrin Saimir Tahiri, teksa tha se ai shpalli shkrirjen e Policisë Kriminale, duke e akuzuar atë për lidhje me skandale dhe trafiqe familjare. Berisha theksoi se kjo masë e tij ishte një përpjekje për të fshehur skandalet që lidheshin me anëtarët e familjes Tahiri.
Në fjalën e tij, Berisha premtoi se do të ndërmerrte një transformim rrënjësor në sistemin e rendit dhe sigurisë, duke theksuar se do të luftojë për një shtet ligjor dhe të drejtë. Ai kritikoi gjendjen e burgjeve, duke përmendur vdekjet e të rinjve teksa i ka cilësuar si të papranueshme etiketimin e tyre si “vdekje natyrale.”
Në lidhje me organet e zbatimit të ligjit, Berisha premtoi një përmirësim të kushteve të punës dhe një trajtim më të dinjitetshëm për punonjësit e Policisë, duke përmendur rritjen e pagave dhe modernizimin e teknologjisë. Ai përfundoi se qëllimi është të shembet narko-shteti dhe të ndërtohet një shtet ligjor, ku ata që kanë kontribuar në ndërtimin e “shtetit të drogës” do të përballen me ligjin.
Sali Berisha: Vagabondi Saimir Tahiri shpallte shkrirjen e Policisë kriminale, sepse kishte skandale e trafiqe familjare. Unë besoj tek institucionet, ka njerëz të ndershëm që kanë vullnet për të zbatuar ligjin, që të zëvendësojmë narko-shtetin me shtetin ligjor, të rikthejmë respektin e plotë të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe garantimin e sigurisë së tyre. Burgjet tona janë në kushte të rënda, teksa në lajme raportohet se vdesin të rinj në burgje. Thonë “vdekje natyrale”, por nuk ka vdekje natyrale për një të ri. Vetë ministri Manja merret me akte të ulëta. Një transformim rrënjësor do të ndodhë në rend e siguri. Rrogat e trajtimi do jenë përparësi e madhe për organet e zbatimit të ligjit. Rrogat janë të larta, por diferencat mes pagave nuk do jenë kaq të mëdha sa sot. Policia do pajiset me teknologjinë më moderne. Do shembim narko-shtetin, do ndërtojmë shtetin ligjor dhe do vendosim para ligjit ata që ndërtuan shtetin e drogës.
(Balkanweb)