TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot kreun e qeverisë Edi Ramën, për ‘thëniet e ditës’ të Halim Kosovës që ai poston çdo mbrëmje në rrjetet sociale. Sipas Berishës, kandidati për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj do jetë ‘kurbani’ i radhës i Ramës.

Nga ana tjetër, ish-kreu i demokratëve e ka quajtur kandidatin e PS-së si ministrin e Griseldave, duke sjellë në vëmendje ngjarjen e pak viteve më parë të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, të cilit gruaja i sajoi një pengmarrje.

Për këtë rast në atë kohë Veliaj i bëri një letër të gjitha ambasadave të huaja në Tiranë ku akuzonte Berishën se kishte organizuar pengmarrjen e gruas shtatzënë të kryebashkiakut të Kavajës vetëm se Elvis Roshi fitoi në zonën bastion të demokratëve.

“Të dashur miq, Dr. Halim Kosova po e bën Ramën zeher, po e lë pa gjumë. Reputacioni, vlerat morale, pëlqyeshmeria, popullariteti i lartë dhe fushata e tij bindëse dhe e njerëzishme ka shkaktuar makth të vërtete e panik të madh të Rama dhe ministri i tij i Mirëqenies personale. Kështu, Edi Rama çdo ditë e me shumë ndjen veten dhe ministrin e tij si njerëz të dalë boje nga mashtrimet e tyre elektorale, heqja masive e njerëzve nga ndihma ekonomike dhe zgjatja me dy vjet e daljes në pension, eksodi masiv i shqiptarëve. Ai vuan shume kur sheh diferencën e madhe në preferencat e qytetareve midis Veliajt, që ndan me të vëllanë paratë e ndihmës për të varfërit dhe Kosovës, qe ka një jetë në shërbim me përkushtim ndaj qytetarëve. Rama vet dhe me kurbanin e tij të radhës, Erionin, ngjallin, me premtimet e tyre tek njerëzit në këtë kohë, eksoda, që sipas tij vjen nga varfëria e qytetarëve në aspirata, zhgënjim, trishtim e mosbesim më të madh se kurrë. Pak është me thënë, po njerëzit që rropatën çdo ditë me dhimbjet e skamjes dhe mjerimit nuk duan as ti dëgjojnë fare emrat e tyre.”, -citohet në mesazhin e Berishës.

Më tej ai shton se: “Në këto rrethana dhe duke parandjerë gjithnjë e më shumë humbjen, Rama ka zgjedhur të bëj çdo ditë hokatarin banal. Ndaj dhe ai boton përditë në FB e tij trillimin bajat e vulgar të radhës për Dr. Halim Kosoven, duke i atribuar atij thënie që nuk i ka thënë kurrë ose veprime që nuk i ka bërë kurrë, dhe duke i ilustruar ato me foto qe dëshmojnë gjendjen e tij tejet të rëndë psiqike. Rama, që në fakt nuk është shëruar dot kurrë, madje as pas zgjedhjeve të 23 qershorit, nga trauma e madhe e disfatës personale të majit të vitit 2011 në Tiranë, dëshmon me mufkat e tij të përditshme qe te çojnë neveri, jo vetëm nivelin e tij intelektual ordiner e mjeran por dhe panikun e madh, që e ka kapluar atë dhe ministrin e tij të griseldave dhe dasmave me dy raunde, nga Dr. Halim Kosova, njeriu i vlerave, punës dhe suksesit. Sb”, përfundon mesazhi i Berishës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: