Nga VALENTINA MADANI*

TIRANE -Më shumë se një vit nga dorëheqja e tij, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha i bën më të dallueshme diferencat gjatë kohës që ai e drejtonte partinë, me periudhën e tanishme nën drejtimin e Lulzim Bashës.

Në një intervistë për “ABCNews”, ai tha dje se “kryetari i ri ka sjellë një risi që iu ka shpëtuar mediave, por një risi me shumë rëndësi në strukturën e partisë: një njeri – një mandat. Në periudhën time, një njeri kishte tri mandate, ndonëse partia pëlqen gjithmonë një njeri një mandat. Basha iu përmbajt në maksimum këtij parimi, kështu që, parimi një njeri-një mandat dikton shumë gjëra. Ka edhe anë jopozitive. Mund të ketë ndonjë që i bën dy mandate, por kur teprohet është shumë negativ, ndaj dhe në tërësi është një parim i drejtë”, – theksoi Berisha.Ish-kreu demokrat, foli edhe për mënjanimin nga strukturat drejtuese të partisë të dy ish-nënkryetarëve, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli.

Për herë të parë, Berisha pranoi se Topallit i ka kërkuar që të shtynte dorëheqjen, që të mos traumatizohej anëtarësia e PDsë. “Kur një parti humbet zgjedhjet, në qëndrim të civilizuar kryetari jep dorëheqjen. Por askush nuk mund të thotë se vetëm ky e kishte gjithë përgjegjësinë, pavarësisht se kryetari e thotë. Dhe çfarë ndodh tjetër? Japin dorëheqjen ata që janë më afër kryetarit, dhe këtë e kanë bërë, kanë dhënë dorëheqjen të dy nënkryetarët. Astriti që në fillim, Jozefina po atë ditë, por për të mos krijuar traumatizime tek anëtarësia i kërkova ta shtynte. Kështu që, ata të dy kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Sekretari i Përgjithshëm, edhe ai është pjesë e ekipit, pa diskutim. Sekretari i Përgjithshëm nuk dha dorëheqjen dhe bëri shumë mirë, sepse pastaj partia ngelej plotësisht në një situatë realisht kaotike, por ai ishte pjesë e ekipit tim. Tani dua të bëj një dallim:Nëse këta dhanë dorëheqje të parevokueshme, nuk do të thotë se këta nuk kanë të drejtë të kenë ambicie të tjera në të ardhmen. Por ky kryetar ka të drejtë për ata dhe për mua të ketë nënkryetarët me të cilët do të punojë, të ketë Sekretarin e Përgjithshëm dhe të tjerë, pra të ketë ekipin e tij. Në këtë drejtim për këta të dy e kam fjalën unë nuk di se u shmang me ndonjë qëllim të caktuar, ata shmangën veten e tyre”, – deklaroi Berisha.

Lidhur me korrupsionin, Berisha bëri publike një ambicie të ish-aleatit të tij në qeveri, Ilir Meta. “Qeverisja që lashë unë kishte korrupsion, por kishte një luftë absolutisht të vendosur ndaj korrupsionit. Nuk them se nuk kishte korrupsion. Edi Rama, çfarë bëri? Nëse skandale e mëdha të korrupsionit gjatë qeverisjes sime dolën me LSI-në, por Ilir Meta dorëzoi detyrat, nuk u bë më as ministër, as president, siç donte, dhe asgjë tjetër”, – deklaroi Berisha.

(Botuar sot në Gazeta Shqiptare)
(ar.sh/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: