GJERMANI- Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe homologu grek, Aleksis Cipras kërkuan sot kapërcimin e stereotipeve që kanë penguar dialogun mes kombeve evropiane, veçanërisht në krizën euro.

“Grekët nuk janë dembelë dhe gjermanët nuk janë përgjegjës për të gjitha vështirësitë e Greqisë. Ne duhet të punojmë fort për të kapërcyer këto stereotipe”, deklaroi Cipras, me rastin e vizitës së parë në Berlin.

“Duhet të shmangim të gjitha llojet e stereotipeve”, miratoi Merkel, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë në nivelin më të ulët që prej disa javëve për shkak të mosmarrëveshjeve për reformat që duhet të ndërmarrë Greqia në këmbim të një ndihme financiare nga kreditorët evropianë.

Kancelarja pranoi kërkesat e vështira dhe mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Berlinit, por ajo siguroi se dëshironte një bashkëpunim me një frymë të përbashkët besimi.

“Ne dëshirojmë një Greqi të fortë ekonomikisht, dëshirojmë rritje ekonomike në Greqi dhe në mënyrë të veçantë reduktimin e papunësisë shumë të lartë tek të rinjtë”, theksoi ajo.

“Dhe për të arritur këto duhen reforma strukturore dhe një administratë efikase, besoj se ne jemi dakord për këtë”, shtoi ajo.

“Ky takim është i rëndësishëm, sepse ne duhet të mirëkuptohemi, nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut”, theksoi Cipras duke përsëritur kundërshtimin e tij për politikat shtrënguese të ndërmarra në Evropë dhe duke dhënë idenë e tij për reformat.

“Plani i shpëtimit të Greqisë nuk ka qenë një sukses”, konfirmoi ai duke përmendur uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 25 për qind, rritjen e papunësisë, rritjen e pabarazive sociale në Greqi.

Por ai hapi një portë për diskutimin: sigurisht, ne nuk dëshirojmë të shkatërrojmë gjërat pozitive të viteve të fundit, ne duhet të gjejmë një kombinim tjetër politik për zgjidhjen e problemeve.

Ai siguroi se nuk kishte ardhur në Berlin për të kërkuar para nga qeveria gjermane, por për të vendosur një bazë të përbashkët në dialogun mes dy vendeve.

Cipras nuk shmangu dot pyetjet mbi pretendimet e Athinës për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore, por rrëzoi idenë e konfiskimit të investimeve gjermane në Greqi.

“Gjermania e sotme nuk mund të identifikohet me atë të Rajhut të Tretë dhe kërkesa jonë nuk është materiale, pra kjo çështje nuk duhet as të lidhet dhe as të kushtëzojë bisedimet mbi borxhin grek. Kjo duhet të trajtohet nga të dyja palët jo si problem material, por si çështje morale për të tejkaluar përgjithmonë fashizmin dhe nazizmin e për të bërë të mundur që totalitarizmi të mos vijë më në pushtet”, deklaroi Cipras.

“Kjo çështje është mbyllur si nga ana juridike ashtu edhe nga ana politike. Gjermania është e vetëdijshme për krimet e kryera në atë periudhë dhe dialogu me Athinën për këtë çështje do të vazhdojë”, deklaroi Merkel.

Kancelarja theksoi përveç të tjerave se çështja e ndihmave për Greqinë dhe reformat e kërkuara nga kreditorët rivendosin diskutimet shumëpalëshe në zonën euro dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: