BERLIN

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po qëndron për një vizitë njëditore në Gjermani, ku në axhendë është përcaktuar edhe një takim me Kancelaren, Angela Merkel. Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se kjo vizitë ka për qëllim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, tha Haradinaj.

Për pos Kancelares, Haradinaj pritet të takojë edhe kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schauble, deputetë të të gjitha grupeve parlamentare, ndërsa pritet të marrë pjesë edhe në konferencën “Takimet ndërkombëtare” si në lutjet e mëngjesit në Berlin. Pas mbërritjes mbrëmë në Berlin, kryeministri kosovar u prit me ceremoni ushtarake. Ai është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Media gjermane “Deutche Welle” ka theksuar se Kancelarja e Gjermanisë do t’i kërkojë Ramush Haradinajt heqjen e taksës për mallrat serbe dhe ato boshnjake, veprim i cili deri tani është kundërshtuar me çdo mjet nga kryeministri i Kosovës.

Ky pritet të jetë një diskutim jo i zakonshëm për Haradinajn, pasi ai ka theksuar më parë se Kosova nuk tërhiqet nga aplikimi i taksës pa njohur Serbia Pavarësinë e Kosovës.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: