Festivali i parë i rëndësishëm i filmit europian për këtë vit, Berlinalja, është hapur tashmë me një deklaratë kundër seksizmit në industrinë e filmit, e duke mirëpritur një numër të paprecedentë regjisoresh femra.


Eventi 11 ditor konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe prezanton 400 filma nga e gjithë bota, dedikuar temave nga më të ndryshmet.
Por, edhe tapeti i kuq i tij premton jo pak, me Kristian Bejl, Dajan Kruger, Tilda Suinton, Catherine Deneuve, Jonah Hill, Chiwetel Ejiofor, Casey Affleck dhe Juliette Binoche, që këtë vit është edhe presidente e jurisë.


Juliette Binoche, presidente e jurisë së Berlinales tha se, ”ne do t’i përdorim njohuritë, eksperiencën, mendjen tonë, për të gjykuar se cilët janë filmat më të mirë”.


Binoche, 54 vjeç, do të kryesojë një panel prej gjashtë anëtarësh, në zgjedhjen e fituesit të çmimeve prestigjoze “Ariu i artë” dhe “Ariu i argjendtë”, që do të ndahen në një ceremoni gala më 16 shkurt.

Vitin e kaluar, me lëvizjen #MeToo që kish mbërthyer industrinë, dokudrama inovative “Mos më prek” e rumunes Adina Pintilie, mori çmimet kryesore.

(Atsh/BalkanWeb)