Në Gjermani vijon ‘gjuetia’ për kapjen 24-vjeçarit tunizian që dyshohet se drejtonte kamionin që shkaktoi masakrën në markatën e Krishtlindjeve me 12 të vrarë.

“Anis Amri, kishte bërë kërkime në internet për prodhimin e mjeteve shpërthyese dhe kishte patur kontakte të drejtpërdrejta me ISIS”, shkruan New York Times duke cituar burime nga inteligjenca amerikane.

Emri i tij, për më tepër është përfshirë edhe në listën amerikane të personave të ndaluar për të hipur në avionët e linjës.

Amri arriti të arratiset pas masakrës. Në shënjestër tani kanë përfunduar autoritetet gjermane, nën akuzë pasi ishin në dijeni të faktit që 24-vjeçari, të cilit i ishte mohuar e drejta për azil, ishte identifikuar si një islamik potencialisht i rrezikshëm, aq sa ishte nën vëzhgim deri në muajin shtator.

Policia gjermane ka ofruar madje edhe një shpërblim prej 100 mijë eurosh për këdo që ka informacione të vlefshme që mund të çojnë në arrestimin e autorit të dyshuar duke paralajmëruar se ai “mund të jetë i dhunshëm dhe i armatosur”.

MEDIAT: DËSHTIM NË SISTEMIN E SIGURISË
Titujt e shumë mediave gjermane kanë qenë të fortë, duke folur për një dështim në sistemin e sigurisë. Welt shkruan se “bastisjet e policisë kanë filluar me vonesë për arsye formale: ka pasur gabime në të shkruar gabime që nuk e bënin të vlefshëm urdhrin”.

Bild vë në shënjestër gabimet e mëparshme dhe dështimet e sistemit të ekspulsit duke folur në titull për “dështim”. Amri ishte në burg dhe ishte gati për t’u përzënë nga vendi, shkruan tabloidi, por i mungonin dokumentet dhe u la i lirë. Bild nënvizon edhe se emri Amri ishte i njohur si “atentator potencial” dhe pyet “se si arriti të zhdukej?”.

KONTAKTET ME EKSTREMISTËT
Amri, pra ishte i njohur nga policia, në qendër të luftës kundër terrorizmit si dhe nga Prokuroria. Për pothuajse gjithë vitin 2016 është monitoruar nga Berlini, sepse ishte dyshuar për përgatitjen e një grabitjeje për të siguruar paratë blerjen e armëve automatike dhe një atentat.

Por, hetimi ishte braktisur në shtator për mungesë provash. 24-vjeçari tunizian ishte lënë i lirë, pavarësisht lidhjeve me disa predikues salafitë (lëvizje sunite).

Një komunikim në veçanti, ka përfunduar në orët e fundit në lenten zmadhuese: ai me predikuesin irakian, që konsiderohet numri një i ISIS në Gjermani, Abu Walaa, i arrestuar në muajin nëntor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb