Reali i Madridit e ka kthyer stadiumin e vet “Santiago Bernabeu” në një kështjellë pothuajse të pathyeshme për rivalët e tij në La Liga.

Betisi është “viktima” e fundit në një listë të gjatë që nis nga viti 2023. Sepse për të gjetur humbjen e fundit të skuadrës së Karlo Ançelotit në shtëpi, duhet të kthehemi pas në kohë. Ishte 8 prilli 2023, kur Vijarreali fitonte 2-3. Që atëherë, “Los Blancos” kanë luajtur 26 ndeshje radhazi në Liga (22 fitore dhe katër barazime) pa u mposhtur në çifligun e tyre “Chamartin”. Sipas të dhënave të “Opta”-s, kjo është seria më e gjatë e Karlo Ançelotit në dy periudhat e tij në pankinën e Realit të Madridit. Për më tepër, Madridi po i afrohet periudhës së tij më të mirë kohore pa humbur në shtëpi: 34 ndeshjet radhazi që skuadra madrilene kaloi pa humbur midis janarit 2012 dhe shtatorit 2013.

Që nga kthimi në “Santiago Bernabéu” në sezonin 2021-2022, pasi kaloi kohë në stadiumin tjetër “Alfredo Di Stéfano” gjatë pandemisë, Reali i Madridit ka humbur vetëm dy ndeshje në Liga. E para ishte në “El Clasico” më 20 mars 2022 kundër Barcelonës (0-4) dhe tjetra, në vitin 2023, kundër Vijarrealit siç e përmendëm më lart.

REKORDI – Por rekordet nuk mbarojnë këtu për Realin e Madridit. Për më tepër, “Los Blancos” nuk kanë pësuar asnjë gol në shtëpinë e tyre në Liga që nga 21 prilli i këtij viti në “El Clasico” kundër Barçës. Kjo ishte e vetmja nga 10 ndeshjet e fundit që Madridi nuk e mbajti portën e pastër. Betis (2-0), Vajadolid (3-0), Betis (0- 0), Alavesh (5-0), Kadiz (3-0), Bilbao (2-0), Selta (4-0), Sevilja (1- 0) dhe Girona (4-0) kanë bërë vizita që nga prilli i këtij viti në “Bernabeu” pa mundur të shënojnë qoftë dhe njëherë përballë Lunin apo Kurtua.

Rivali i fundit që ka shënuar në portën e Realit të Madridit në një ndeshje lige në “Bernabeu ishte ylli i Barcelonës, Fermin Lopez në “El Clasico”-n e sezonit të kaluar. Trajneri italian bëri thirrje për më shumë soliditet në mbrojtje dhe deri më tani, Madridi ka pësuar vetëm dy gola në pesë ndeshjet zyrtare që kanë luajtur këtë sezon, të dy në transfertë përballë Majorkës dhe Las Palmasit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb