Duke lexuar shkrimin e botuar para 182-viteve nga gazeta austriake “Lloyd Austriaco”, më 28 korrik 1842, në faqen e dytë, natyrshëm më erdhën në mendje këto pak rreshta. Ky shkrim që botohet për herë të parë për lexuesin shqiptarë, flet për Mahmud bej Vlorën dhe ndihmën bujare që ai i jep ekuipazhit të anijes austriake “Trionfo”, viktimë e një sulmi piratësh në brigjet shqiptare. Mahmud bej Vlora, ishte i biri i Ismail bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës.
Disa pjesë të shkëputura nga shkrimi me titullin “Lajme detare”:
“Anija e lartpërmendur mbërriti në Durrës. Mahmud Beu, i biri i Ismail Beut të Vlorajve, sapo u informua për ngjarjen, mori të gjitha masat për t’i siguruar bujarisht ekuipazhit të mbathura, njëkohësisht i dha kapitenit Giaxevich, të gjitha paratë që dispononte me vete në atë moment, duke shtuar edhe një sasi ari, si kompensim për atë çka i ishte grabitur.
Ai arrestoi edhe disa persona nga fshati Dukat, si të dyshuar për aktin, si edhe për t’i detyruar që të paguajnë vlerën e plotë të sendeve të grabitura. Më pas anija austriake “Trionfo” u nis nga Durrësi për në Maltë…”.
I ati i Ismail Qemalit, Mahmud bej Vlora ishte fisnik dhe idealist dhe këto tipare i kultivoi edhe tek i biri. Biblioteka e tij ka qenë ruajtur pjesërisht deri në vitin 1944 në bibliotekën e familjes Vlora. Eqrem Vlora dëshmon se Ismail Qemali i fliste atij shpesh për të atin. “Një ditë Mahmud beu”, – tregonte Ismail Qemali, – “me sy të përlotur e me një libër në dorë, po rrinte në një cep të dhomës së tij të punës. Vjen brenda kushëriri i tij Selim pasha (i cili nuk dinte as shkrim as këndim) dhe e pyet i shqetësuar: ‘Çfarë ka ndodhur, Mahmud? Përse po qan?’ Mahmud beu i tregoi librin: ‘Shiko këtu çfarë po lexoj! Ky është Gerusalemme liberata (Jeruzalemi i çliruar) i Torkuato Tasos: sikur ta dije se me ç’vargje të mrekullueshme i ka shprehur idetë e tij të larta për bujarinë, njerëzdashjen, drejtësinë dhe lirinë edhe ti do të qaje!’. Selim pasha kishte qeshur muaj radhazi me këtë histori dhe pastaj për vite të tëra e tregonte si histori”.
Qysh në fëmijëri, Ismail Qemali do të provonte shijen e kulturës evropiane, nëpërmjet mësimit dhe leximit në italisht dhe frëngjisht. I ati i tij ndikoi që ai veç shqipes, turqishtes dhe greqishtes, të mësonte edhe italisht dhe frëngjisht. Vetë Mahmud bej Vlora zotëronte disa gjuhë (turqishten, italishten, greqishten dhe frëngjishten). Duke qenë edhe vetë një njohës i gjuhëve dhe letërsisë evropiane, ai donte që ti rrënjoste atij që në vogëli dashurinë për gjuhët dhe kulturën evropiane, duke i vendosur në dispozicion edhe bibliotekën e pasur personale. Ismail Qemali thotë se: “Ai donte qysh kur isha i vogël, të ushqente tek unë zell dhe shije për kulturën evropiane”.
Më 3 nëntor të vitit 1839, u shpallën zyrtarisht reformat e Tanzimatit. Më 2 mars të vitit 1847, zyrtarët turq arritën në Delvinë, për të lexuar dekretin e reformave për Labërinë. Ata nuk dinin shqip, por edhe shqiptarët nuk dinin turqisht, prandaj përkthimin e bëri Mahmud bej Vlora, që nuk e kishte harruar vrasjen e pabesë të të atit në Janinë, më 5 janar 1829. Ai ia përktheu popullit, dekretin sipas mënyrës së vet: “Ata kërkojnë djemtë tanë. Puna e parë do t`ua presin perçen, do t`ua marrin pushkën dhe fustanellën dhe pastaj do u veshin çitjane që të duken si gra. Në u pëlqeftë t`ua marrin të gjitha shenjat e burrërisë me të cilat keni fituar në mijëra beteja, bukur, binduni rregullave të reja, në mos atëherë vendosni vetë se çfarë duhet të bëni”.
Në fakt, me këtë gjuhë, Mahmud bej Vlora i bëri thirrje Labërisë të merrte armët. Si rezultat i shtypjes dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, më 1847 vala e kryengritjeve popullore kundër reformave të Tanzimatit u përhap gati në të gjithë Shqipërinë. Mahmud bej Vlora dhe Selim pashë Vlora, xhaxhai i Ismail Qemalit, ishin udhëheqësit e kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit (1839 – 1876). Pas shtypjes së saj ata të dy u arrestuan dhe u internuan në Konia të Azisë së Vogël.
Por në vitin 1850, Porta e Lartë filloi një politikë pajtuese kundrejt shqiptarëve. Sulltan Abdylmexhidi (1839-1861), vendosi në provincat shqiptare të perandorisë valinj me origjinë shqiptare. Në shkurt 1850 në Janinë, Ismail Rahmi Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës, u emërua si guvernator i “Shqipërisë së Poshtme”, dhe në Prizren, u emërua si guvernator i “Shqipërisë së Epërme”, Ismail Pasha Pliasa. Dy valinjtë e sapoemëruar kishin lidhje gjaku nga ana mashkullore dhe femërore me Vlorajt.
Tashmë era dukej se po frynte në favor të familjes Vlora. Kjo politike e re e Portës së Lartë ndaj shqiptarëve, favorizonte kthimin e të dëbuarve. Kështu që, në fund të vitit 1851 ose në fillim të vitit 1852, Mahmud bej Vlora, erdhi nga Konia në Vlorë, duke marrë sërish zyrtarisht kryesimin e familjes dhe udhëheqjen e krahinës. Ndërkohë, vëllai i tij Selim pashë Vlora dhe prijësi i shquar Çelo Picari, u konsideruan akoma të rrezikshëm nga qeveria otomane dhe nuk u lejuan të ktheheshin. Këto ngjarje dhe rrëfimet e të atit për Kryengritjen e Tanzimatit do të shënjonin fëmijërinë e Ismail Qemalit.
Me fillimet e veprimtarisë kulturore-gjuhësore do të fillonin të shfaqeshin edhe ndjenjat kombëtare shqiptare. Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët vetëm afër mesit të shekullit të XIX. Në këto kohëra, Ismail bej Vlora (i vjetri) do të organizonte edhe Kuvendin Ndërkrahinor të Beratit (6-8 nëntor 1828), me qëllim shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Këtë akt ai do ta paguante me kokën e tij. Më pas, luftërat e pandalura lokale kundër autoriteteve otomane gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit, do të ndikonin për t’i armiqësuar më tej shqiptarët me turqit.
Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili gjendet sot në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë. Ai është vendimi i Kuvendit të krejt Labërisë më 18 mars 1847, nën kryesinë e Mahmud bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslim Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”. Brenda kësaj mbretërie secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta edhe pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek Ioannis Kolettis, e përkrahu këtë kërkesë. Por kolegët e tij dhe parlamenti nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.
Ndërkohë, në vitin 1854, bandat andarte shoviniste të organizuara nga qeveria greke filluan luftën për pushtimin e trojeve shqiptare në Thesali. Ata donin të merrnin Janinën dhe krahinat e tjera të Jugut të Shqipërisë, duke kryer masakra mbi popullatën civile shqiptare. Në këto kushte, për herë të parë, shqiptarët u ndjenë të kërcënuar nga fqinjët.
Prandaj, elita shqiptare u shty drejt zgjedhjeve të detyruara për aleancë politike dhe ushtarake me Perandorinë Osmane. Mahmud bej Vlora dhe Selim pashë Vlora me trupat e tyre nga Labëria i sprapsën grekët në Mecovë. Mirëpo qeveria turke nuk i shpërbleu vullnetarët e tyre. Krerët protestuan dhe i thanë se ata e kishin ndjekur atë duke i besuar fjalës së tij.
Qeveria osmane i dha atij obligacione shtetërore pa vlerë, por ai si besnik i “fjalës së dhënë”, pagoi me paratë e veta. Mahmud bej Vlora u detyrua që të shiste të gjitha çifligjet e tij për të paguar njerëzit e tij “sepse nuk donte që ta hante fjalën dhe të nxinte fytyrën”. Prandaj, ai ra në varfëri dhe i mbylli sytë në moshë relativisht të re në Kostandinopojë. Varfërinë e trashëgoi i biri i tij Ismail Qemali, i cili kaloi një rini shumë të vështirë. Megjithatë, falë aftësive dhe cilësive të jashtëzakonshme, ai arriti të bëjë karrierë, duke prekur majat e administratës së Perandorisë Osmane.
Modelet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e lidershipit. Besa dhe mbajtja e fjalës ishin tipare karakteristike të prijësve shqiptarë. I gjyshi dhe i ati i tij ishin shembujt me të cilët u rrit Ismail Qemal Vlora. Prandaj, karakteri dhe lidershipi i tij i rrezatonte këto vlera dhe ideale fisnike…