Rikthimi i Besa Kokëdhimës në skenën muzikore shqiptare ishte një surprizë për të gjithë, jo për shkak se ka munguar, por sepse vjen me një nga duetet më premtuese të momentit. Këngëtarja vetëm dy ditë më parë solli premierën e projektit të saj të ri “123”, për të cilën ka punuar me Kledi Bahitin në rolin e kompozitorit dhe si tekstshkrues e bashkë-këngëtar Flori Mumajesi. Ndonëse bashkëpunimi i dy artistëve ishte i papritur, me gjasa kënga do të jetë ndër më të suksesshmet e kësaj vere. Të paktën këto janë pritshmëritë e fansave të dy këngëtarëve. Por si janë bërë bashkë Flori dhe Besa në këtë projekt? Këngëtarja rrëfen për “Summer Pages” se Flori nuk është vetëm një mik i vjetër, por edhe autori i këngës së saj të parë.

“Flori është një artist i vërtetë në çdo kuptim! Ne kemi miqësi, vlerësim dhe muzikë ndër vite, sigurisht që do vinte momenti edhe për bashkëpunim. Rrugëtimin në muzikë e kemi nisur bashkë, Flori gjithashtu është autori i këngës sime të parë, në moshën 15-16 vjeçare, “Më beso”. Sa i takon fabulës interesante të këngës, Besa tregon se ajo është shkruar nga Flori Mumajesi. “Tematika e saj është një fenomen që ka prekur shumë njerëz”. Por, a është tradhtuar Besa nga ndonjë mikeshë, apo është lënduar nga shoqet “e ngushta”? Këngëtarja pranon se personalisht nuk i ka ndodhur një tradhti e tillë, por pavarësisht kësaj, siç tregon ajo, “Mërzi dhe zhgënjime mund të kem pësuar, si kushdo”.

Kënga me Florin nuk është i vetmi projekt i këngëtares. Ajo thotë se aktualisht ka edhe dy projekte të tjera, që do të vijnë shumë shpejt. “Kam edhe një tjetër bashkëpunim surprizë këtë verë. Më pas do të vijoj me një këngë solo”, rrëfen Besa Kokëdhima.
(ed.me/Summer Pages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: