Ministrja e Arsimit Besa Shahini e ftuar në emisionin “Dritare me Rudinën” tha se ministria që drejton do t’ju drejtohet studentëve, që ata të mund të vlerësojnë tekstet që pedagogu apo pedagogja ua ofron.

“Ne si Ministri e Arsimit kërkojmë ‘ndihmën’ e studentëve, që ata të mund të na thonë nëse teksti që iu ofrohet nga pedagogu ose pedagogia janë të kuptueshme nga ata. Pra, ne po bëhemi me studentët, jemi me zërin e tyre. Gjithashtu, e kemi thënë se kemi vendosur që studentët ekselentë dhe ata në nevojë nuk paguajnë tarifë”, tha Shahini.

I pyetur nga studenti Agred Tafaj, Shahini tha më tej se anëtarët e Bordeve nuk do të jenë më nga Ministria e Arsimit, por ndër ta do të jetë edhe një përfaqësues i studentëve.

“Ne kemi hequr nga Bordi i Administrimit të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Në bord tashmë nuk janë më përfaqësues te ministrisë. Ndër ta, njëri do të jetë nga studentët, për të mbrojtur pikërisht studentët. Në Universitetin Bujqësor, në Bordin e Administrimit për shembull është vendosur një gazetar i njohur, që të jetë një zë i fuqishëm për të mbrojtur studentët”, u shpreh Shahini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb