Nga: MENTOR KIKIA *

Pjesëmarrja e delegacionit politiko-fetar të Shqipërisë në marshimin e paqes në Paris dhe parakalimi “madhështor” i përfaqësuesve të katër komuniteteve fetare në bulevardin ‘Volter’, krijuan një eufori popullore ndër shqiptarë, për atë që u quajt si leksion i bashkëjetesës apo tolerancës fetare që Shqipëria po i jepte Europës. Por disa mendje më të ftohta se “turmat” e “facebook”-ut e shënjestruan keqazi këtë si “shfaqje artistike me regji të kryeministrit Rama”. Disa nga penat më të lexuara në shtypin e përditshëm iu vërsulën kësaj shfaqjeje në dy drejtime. Së pari, në atë që ajo paradë “karnavalesh” është vetëm një fasadë, pasi në Shqipëri nuk ka tolerancë fetare, por ka thjesht një ateizëm përzierë me një besim sipërfaqësor, gjë që e bën harmoninë apo bashkëjetesën të jetë krejt natyrale dhe aspak produkt i ndonjë kulture të veçantë të shqiptarëve. Madje, e konsiderojnë një mit të rremë tërë këtë imazh mbi virtytin shqiptar të bashkëjetesës fetare. Dhe se dyti, në faktin se delegacioni shqiptar, në vend që të shkonte në Paris dhe të zbatonte rregullat e vakisë, siç ndodh në të tilla raste, e shfrytëzoi këtë marshim për të prodhuar një show, i cili kishte frute politike vetëm për opinionin e brendshëm, pasi mes parisienëve askush nuk e mori vesh se prifti, hoxha dhe baba Mondi ishin nga Shqipëria.
Unë jam i një mendjeje me ata që mendojnë se në Shqipëri nuk ka tolerancë fetare. E para sepse në Shqipëri nuk ka tolerancë fare, pasi ne ia marrim shpirtin njëri-tjetrit për një gërvishtje makine, apo për një tezgë kur shesim në treg, siç ndodhi pak ditë më parë në Tiranë. Shumica dërrmuese e krimeve në Shqipëri ndodhin pikërisht si pasojë e karakterit agresiv të njerëzve dhe ku shembullin më të mirë të intolerancës e japin ata që populli i zgjedh për të drejtuar vendin. Dhe një shoqëri që nuk e demonstron tolerancën si virtyt të sajin në tërësi, nuk mundet ta demonstrojë atë në një drejtim të veçantë. Pra, ne nuk mundemi të jemi tolerantë në rrugë dhe të dhunshëm në shtëpi, tolerantë në besim fetar dhe të dhunshëm në politikë. Ndaj të njëjtin mendim, gjithashtu, me ata që këtë bashkëjetesë ia faturojnë një shkalle besimi jo shumë të rrënjosur dhe kjo nuk është vetëm meritë e Enver Hoxhës që ndaloi besimin me ligj, apo Zogut që ndali ferexhetë që në 1933. Edhe më larg në histori ne kemi treguar se e kemi ndërruar fenë sa herë taksidarët e Stambollit vinin të mblidhnin taksa, duke u bërë herë myslimanë e herë të krishterë. Ajo që nuk është thënë, ndërkohë, është fakti se kontribuues në këtë bashkëjetesë ka qenë, në hije, edhe vetë shteti, i cili ka prodhuar ligje apo mekanizma që mund të mos i gjesh në shoqëri të tjera, përmes të cilave ka ndërhyrë duke mos lejuar ekstremistët e besimit islam të marrin drejtimin e Komunitetit Musliman. Dua të kujtoj këtu se sa herë ka zgjedhje në KM, shërbimi sekret apo policia e antiterrorit ndërhyn duke shoqëruar myftinj në qytete të ndryshme, që i përkasin “grupit të të rinjve të Arabisë”.
Por ajo që është shqetësuese në këtë histori është tendenca e shumë zërave, fjala e të cilëve peshon në opinion, për të qenë kundër mitit, madje duke u kërkuar të tjerëve të mos na besojnë për atë që themi se jemi. Pra, ne nuk kemi tolerancë fetare, por kemi indiferentizëm fetar apo edhe një bashkëjetesë të imponuar përmes mekanizmave shtetërorë. Ani, cili është problemi? Rëndësi ka që në Shqipëri feja nuk është një mjet përjashtimi, nuk është një mjet që prodhon armiqësi, konflikte sociale apo përplasje klasash shoqërore. Kjo duhet të na gëzojë të tërëve. Komentues si Ardian Vehbiu, Armand Shkullaku, Andi Bushati apo Fatos Lubonja, duke iu referuar mitit të rremë, në forma të ndryshe, gati kërkojnë ta shembin këtë mit. Por, edhe nëse është i rremë, përse duhet të jemi kundër këtij miti? Unë jam kundër (sh)përdorimit të tij nga politika, sikur rrëshqiti edhe në rastin e Parisit, por që ne ta marketojmë mirë në arenën ndërkombëtare faktin se bashkëjetojnë në paqe fetare, ç’të keqe ka? Vetë Parisi është një mit i krijuar qëllimisht, si qyteti i dashurisë, duke bërë që shumëkush të marrë rrugët deri edhe nga Malajzia e Tajlanda për ti treguar gruas se e do shumë dhe për këtë muajin e mjaltit duhet ta bëjë në Paris, duke e shndërruar kështu mitin e “qytetit të dashurisë” në një zë të fortë turistik për qytetin.
Shoqëritë i krijojnë edhe qëllimisht mitet, siç serbët p.sh kanë krijuar mitin e Kosovës si djep i Serbisë, apo edhe mite heronjsh që nuk ekzistojnë, por që i shërbejnë historisë së shoqërive. Ne, gjatë dy dekadave të fundit kemi krijuar në sytë e Evropës e më gjerë, opinionin apo mitin se prodhojmë vetëm prostituta, banda tutorësh dhe organizata kriminale e trafikantë droge. Ndërsa tani, kur Papa vjen këtu dhe vlerëson pikërisht bashkëjetesën fetare, ne vetë themi: Jo nuk është kështu, ne s’jemi tolerantë, kjo është një gënjeshtër, mos e besoni. Ne nuk jemi besimtarë, ata priftërinjtë që ecin përkrah me hoxhallarët janë karnavale Parisi, janë delenxhinj, mos e hani këtë mashtrim që po ju bëjmë. Kritikët i akuzojnë drejtuesit e besimeve fetare për mosndikim tek politika, për ta bërë edhe atë të urtë si besimtarët. Në fakt ata bëjnë mirë që nuk ndikojnë dhe bëjnë mirë ti nxjerrin edhe jashtë në ditë festive kur shkojnë e u bëjnë qokat. Me politikën na takon të merremi ne, pavarësisht në besojmë ose jo në fe, kur shkojmë votojmë dhe jo hoxha dhe prifti. Me apo pa besim, me apo pa tolerancë, me apo pa ndërhyrjen e shtetit, ne duhet të jemi të kënaqur për këtë që kemi dhe nuk duhet të na vijë zor fare ta ngremë në piedestal.

(d.d/GSH/alkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: