Mesnata solli lajmin e gëzuar për të gjithë besimtarët e krishterë se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të dhe shpresa për botën, i cili është dhe simboli i Pashkëve.

KORÇE
Ashtu si gjithnjë në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit në Korçë”, qindra besimtarë u mblodhën në sheshin para katedrales, ku pas lajmit të ringjalljes u shpërnda dhe drita e hyjit të cilën besimtarët e dërgojnë më pas në banesat e tyre si dritë shprese.

ELBASAN
Mesha kryesore e pritjes së ringjalljes në Elbasan u zhvillua në kishën historike të Shelcanit, aty ku përkundër ambienteve të kufizuara u mblodhën qindra besimtarë në mesin e të cilëve dhe autoritetet vendore të Elbasanit.

Besimtarët të cilët u ftuan në rrugën e Krishtit, uruan për më shume paqe, mirësi e lumturi, edhe në shoqërinë e trazuar shqiptare.

DURRES
Edhe në Durrës besimtarët ortodoksë priten ringjalljen në Kishën Ortodokse të Apostull Pavlit e Shën Astit, ndërsa dhe Kisha Katolike e Durrësit priti mbrëmë besimtarët katolikë, të cilët ndezën dritën e hyjit me këngë e lavde kishtare.

FIER
Urimi I ringjalljes ka bërë bashkë edhe besimtarët ortodoksë të Fierit, të cilëT teksa morën dritën e shpresës u luten për më shumë paqe dhe qetësi ne familjet e tyre. Mitropoliti, At Nikolla ka ftuar besimtarët të ndiqnin rrugën e paqes dhe mirësisë që na vjen me mesazhin që sjell Pashka.

BERAT
Edhe katedralja “Shën Dhimitri” në Berat gjatë mesnatës priti ringjalljen e Krishtit me dritën e hyjit dhe lutjet e qindra besimtarëve të mbledhur atje për përjetimin e kësaj ngjarje të rëndësishme për krishterimin, teksa mesha u drejtua nga Imzot Ingnanti Peshkop I i jugut të vendit.

LUSHNJE
Edhe në Lushnjë Kishat Ortodokse dhe ato katolike ndezën qirinjtë e dritës së hyjit, ndërsa besimtarët u lutën për ditë më të mira, për më shumë mirëqenie dhe dashuri.

SHKODER
Në meshën e kremtuar për festen e Pashkëve në katedralen e “Shen Shtjefnit” në Shkodër, arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult, Monsinjor Angelo Massafra iu drejtua me një lutje të veçantë vendeve që janë në luftë duke thënë se Pashkët janë një moment për të reflektuar për paqe e dashuri.

PUKE
Në Pukë priftërinjtë e zonës ftuan besimtarët që me besim dhe nën shembullin e hyjit të sfidonin vështirësitë me të cilat ata përballen çdo ditë në veriun e vendit, ndërsa u lutën për kapërcim të sfidave që karakterizojnë Pukë, Fushë-Arrzin e më gjerë, veriun e vendit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: