Besimtarët myslimanë beratas falën sot në Pedonalen e qytetit Fiter Bajramin. Pas një muaji sakrifice nëpërmjet “agjërimit”, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur paraditen e sotme në Pedonalen e qytetit, ku edhe kanë kryer ritet e faljes.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se pedonalia e qytetit është mbushur plot me besimtarë myslimanë, të cilët janë falur për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre. Falja e madhe është ndjekur edhe nga dhjetëra qytetarë beratas që nuk i përkasin këtij besimi fetar.

Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu i Beratit Baftjar Këllëzi, i cili është falur për më shumë paqe, mirësi dhe begati në familjet beratase dhe në gjithë vendin.

Myftiu ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga zoti me më shumë begati e shëndet.

Festa e Fiter Bajramit vijon më pas në çdo familje beratase me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30-ditëve të Ramazanit.

 (d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb