Besimtarët ortodoksë në Shqipëri kanë shënuar të Premten e Madhe përmes një rituali që kujton Krishtin në kryq. Sivjet Shërbesa e së Premtes së Madhe, me solemnitetin e saj të thellë, u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Në kryeqytet, shërbesa filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e klerikëve, korit Bizantin dhe besimtarëve, në një atmosferë përulësie e përqendrimi shpirtëror. Në zemër të shërbesës psalën vargje nga stancat e vajtimeve, fjalë me përmbajtje të thellë që përmbledhin dhimbjen dhe shpresën e Kishës.
E Premtja e Madhe është momenti kur Kisha qëndron me frymë të ndalur përpara misterit të Kryqit, varrimit dhe zbritjes në Had të Krishtit. Të gjitha pësimet, vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes. Sepse Zoti nuk mbetet në varr, por ngjallet dhe me Të ngjallet gjithçka. Dhimbja e së Premtes është përgatitje për gëzimin e Pashkës.
Fier – Besimtarët proçesionin e epitafit e ndoqën nga kisha katedrale e Shën Gjergjit, paraprirë nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi ka përshkuar qëndrën e qytetit duke përcjellé në qytet mesazhe paqeje, besimi , shprese dhe ringjalljeje.
Vlorë – Një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve, ceremonia eepiafit u zhvillua në Kishën e Shën Në Theodhorit, ndërsa besimtarët e ndoqën ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike.
Durrës – Besimtarët ortodoksë u mblodhën në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit. Me një marshim të heshtur, të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit.
Berat – Besimtarët ortodoksë beratas ceremoninë e zhvilluan në Katedralen e Shën Dhimitrit. Pas shërbesës së mbrëmjes, i udhëhequr nga Hirësia e Tij Asti së bashku me At Joan Qako dhe At Petraq Simsia, Epitafi i Katedrales së Shën Dhimitrit dhe Epitafi i Kishës së Shën Spiridonit,u shëtitën (në një proçesion solem) nëpër rrugën kryesore të qytetit të Beratit, ndërsa besimtarët luteshin për shëndet, mirësi dhe paqe.
(BalkanWeb)