Pak ditë pasi “Gazeta Shqiptare” botoi një material të prof. Bashkim Kuçukut, që tregonte si paraqitej Kadare jashtë vendit nga diplomacia shqiptare dhe se në ceremonitë për të mungonte presidenti, ka reaguar shkrimtari Besnik Mustafaj, më herët ambasador në Francë, por edhe ish-ministër i qeverisë “Berisha”, si edhe pjesë e Partisë Demokratike.

Shkrimi i Kuçukut tregonte se ndonjë diplomat, sikurse ka qenë rasti i ambasadorit Kokalari në Suedi, (1994), i cili, në takime zyrtare me të huajt e paraqiste Kadarenë projektues të diktaturës, madje me nxitjen e tij iu drejtua edhe një dosje Akademisë së Stokholmit për mos t’i dhënë Nobelin, një keqdashje e pangjarë në botë nga vetë vendi i shkrimtarit.

Në këtë vazhdë, Kuçuku solli në kujtesë edhe një ngjarje ku sipas tij Sali Berisha (atëkohë president) mungoi. “Heshtja e Presidentit të Shqipërisë për ftesën e Akademisë Morale dhe Politike të Francës për të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të Ismail Kadaresë anëtar i saj (1996), ku në respekt të protokollit shekullor, është i pranishëm presidenti, ose mbreti i vendit përkatës. Heshtja dhe mungesa e tij u kuptua prej saj si mospranim dhe pengesë”, thoshte Kuçuku.

Ndërkaq, Mustafaj shkruan se, “në seminarin ndërkombëtar kushtuar veprës së Ismail Kadaresë, organizuar në Tiranë javën e kaluar, kishte një kumtesë edhe Bashkim Kuçuku, ky Profesor Doktor në fushën e studimeve mbi letërsinë. Punimi i tij në të vërtetë, me sa u botua në shtyp, nuk shqyrtonte veprën e madhe të Kadaresë, por synonte të tërhiqte vëmendjen tek armiqësia politike e të gjitha qeverive ndaj shkrimtarit Ismail Kadare”.

Sipas Mustafajt, “personalisht nuk më duket se i bëhet ndonjë shërbim i çmuar veprës së Kadaresë me këtë fushatë të stërgjatur në vite e shpesh të banalizuar, për ta paraqitur medoemos autorin si viktimë.

Por kjo është një çështje tjetër. “Në kumtesën e zellshme të Bashkim Kuçukut sillej si fakt armiqësie mungesa e Sali Berishës në ceremoninë e pranimit të Ismail Kadaresë në Akademinë Franceze të Shkencave Morale në mesin e viteve ’90. Asokohe unë kam qenë ambasador i Shqipërisë në Paris dhe e di shumë mirë të vërtetën. Sali Berisha, President i Republikës në atë periudhë, nuk ka qenë i ftuar”, thotë Mustafaj.

Në këtë pikë, ai shton se, “për t’i thënë gjërat me emrin e tyre, Bashkim Kuçuku në këtë rast të paktën shpif në një mënyrë shumë të padenjë për titullin që mban. Pse e bën? Kjo do të donte një analizë të gjatë, të lidhur kryesisht me personalitetin e këtij profesor-doktori dhe të të ngjashmëve të tij, por edhe me mënyrën si po zhvillohen sot te ne studimet mbi letërsinë”, e mbyll reagimin e tij Mustafaj.

Në fjalën e mbajtur në një konferencë me 40 studiues, organizuar nga Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Kuçuku është ndalur në daljen nga botimi i disa prej veprave të shkrimtarit, duke shënuar se, “horizonti i pritjes së veprës së Ismail Kadaresë, i përshkruar në mijëra artikuj është tepër i larmishëm në gjuhë, letërsi e kultura të Europës, Amerikës, Azisë. Sot shpërfaqet në 45 horizonte pritjeje”. fa.ni.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb