TIRANË- Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm, një nga themeluesit e PD-së rrëfeu sot në studion e News24 se përse i ishte drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha me një thirrje në lidhje me zgjedhjet brenda PD-së.

Ai tha se i është drejtuar me një gjuhë intime, si në kohën kur ishte aktiv në PD duke i kërkuar të mbështesë zgjedhjet dhe të mos përdorë fuqinë ndikuese që ka në favor të asnjë kandidati. Sipas tij duhet ta shprehë vetëm me votë, në mënyrë që brenda PD-së të ketë garë.

“Berishës në këtë moment, i jam drejtuar me shumë respekt. Sepse Berisha është një faktor i rëndësishëm që PD të futet në garë. Fëmijët tanë janë në moshën që kishim ne kur themeluam PD, ua kemi borxh fëmijëve tanë që PD-në ta lëmë të shëndetshme. Sot i jam drejtuar me një ton intim Berishës. Jam kthyer tek gjuha që kisha me të kur ishim bashkë. Një farë koshience demokratësh duhet të zgjohet sa më shpejt se më shqetëson rreziku i rënies në depresion.
Nuk besoj se Berisha do ta zgjidhte krizën në PD, por besoj se Berisha duhet të mbështesë idenë e garës por një garë të ndershme, jo si ajo që u bë para 4 vitesh. Edhe atëherë më ka dalë goja pas veshit duke thënë se duhet bërë një garë. Berisha ka autoritet moral për ta nxitur këtë garë… Nuk duhet ta shprehë qëndrimin e vet përveç se me votë. Berisha e ka fuqinë ndikuese por nuk duhet ta përdorë”, tha Mustafaj.

Ai gjithashtu deklaroi se Basha mund të rikandidojë por duhet të futet në garë si i barabartë.
“Basha duhet të japë dorëheqjen, por le të rikanddiojë. Por në garën e re të futet si i barabartë jo me figurën e kryetarit”, u shpreh Mustafaj, raporton “BalkanWeb”.

I pyetur me emra të mundshëm në garën për kryetarë të PD-së, Mustafaj tha se ka shumë kandidatë potencial.

“Do e shoh kush do dalë dhe do mbështes atë që mendoj se është më i miri. Mjafton t’ju kujtoj që PD është një parti që gjysmën e këtyre 25 vjetëve ka drejtuar vendin, është përballur me sfida të mëdha dhe është logjike që brenda saj të ketë kandidatë potencialë, jo një por shumë më tepër”, theksoi ish-ministri.

Në lidhje me kundërshtarët e Bashës brenda partisë, Mustafaj tha se nuk i ka mbështetur dhe se ai është vetmi që ka të drejtën morale të flasë pasi nuk ka asnjë konflikt interesi.
“Nuk i kam mbështetur Topallin e Imamin. Unë jam i vetmi që e kam të drejtën morale të flas. Duhet parë si një rënkim i një demokrati. Mua nuk më ka munguar diçka, se nuk kam qenë kandidat. Basha më ka propozuar 2-3 herë që të afrohem në PD. Nga pikëpamja njerëzore kemi një komunikim personal, nuk kemi mbetje qejfi dhe më bën të paanshëm në këtë debat, në kuptimin që nuk kam konflikt interesi. Nuk nisem nga një sedër e lënduar por një ideal i parealizuar”, u shpreh Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: