TIRANE– Analisti dhe ish ministri, Besnik Mustafaj ka thënë se lënia e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri ishte veprim i duhur dhe i bërë në akordim me kryeministrin Rama. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Besnik Mustafaj tha se Ramës i është kërkuar në Gjermani dorëheqja e mandatit të Tahirit, pasi kjo marrëveshje Tahiri-Rama është bërë pas kthimit të kryeministrit nga vizita në Gjermani.

“Unë besoj se është veprimi i duhur dhe ky veprim tregon se është i akorduar me kryeministrin. Nëse do ishte kaq trim përballe drejtësisë Tahiri do kishte vepruar që në fillim. Unë besoj se kjo është në një marrëveshje mes të dyve dhe ky hap i tyre lidhet me vizitën e kryeministrit në Gjermani. Kjo është një marrëveshje e bërë pas kthimit të Ramës nga Gjermania. Rama gënjeu në Gjermani kur u pyet për Tahirin, pasi tha që Tahirit i është hequr mandati i deputetit.

Rama nuk është një lider që nxjerr konkluzione mbi faktet. Ai ka imagjinatën e tij dhe ka besuar se mund ta manipulonte kancelaren Angela Merkel, por politika gjermane mbështet mbi faktet dhe jo fjalët. Ky besonte se kancelarja Merkel nuk do ja lejojë vetes që të behej pengesë për Shqipërinë dhe ka munguar praktika e thënies së gjërave hapur. Gjerat hapur mund t’u thuhen ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë. Rama ka qenë viktimë e dëlireve të veta”- tha Besnik Mustafaj.

Sipas ish ministrit Besnik Mustafaj, Saimir Tahiri është shantazhisti më profesional dhe Prokuroria duhet t’i kërkojë Kuvendit përshpejtimin e procedurave për arrestimin e tij.

“Ne tashmë presim reagimin e Prokurorisë duke nisur që nga dita e sotme. Hipoteza ime është se garancia që i ka dhënë kryeministri Tahirit ka qenë garancia e prokurorisë. Shantazhisti më profesional që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite është Saimir Tahiri. Unë do doja që Prokuroria të lëvizte. Prokuroria t’i kërkojë Kuvendit përshpejtimin e procedurave për arrestimin e Tahirit. Unë nuk di çfarë faktesh ka Tahiri, por lëvizja e mimikës së tij është e frikshme. Saimir Tahiri nuk ishte i trembur sot gjatë konferencës së tij. Unë parashikoj që kjo çështje do vazhdojë gjatë. Ndeshja tani bëhet mes mbrojtësve të Tahirit dhe prokurorisë”- tha Mustafaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: