Sipas tij, pak a shumë dihej që CDU-ja, e drejtuar nga Friedrich Merz, do të zinte vendin e parë, sikundër dihej gjithashtu se social-demokratët po kalonin një periudhë të vështirë. Ç’ka bëri që ata të zënë vendin e tretë për herë të parë në histori, që prej themelimit të kësaj partie. Bie në sy fakti që partia e ekstremit të djathtë dhe partia e ekstremit të majtë kanë shënuar një rezultat më të mire krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Së brendshmi, vijon Bushati, Gjermania do të vazhdojë të ketë një koalicion të madh, edhe pse koalicioni tradicional i madh mes CDU/CSU-së nga njëra anë, dhe social-demokratëve nga ana tjetër, nuk është më aq i madh për sa u përket votave dhe mbështetjes popullore, si pasojë e dinamikës së re në skenën politike gjermane.

Gjermania është vendi me peshën kryesore ekonomike në Bashkimin Europian, fuqia e tretë për nga ekonomia në botë, dhe me një impakt të padiskutueshëm në skenën europiane, sidomos në kushtet që po përballon kontinenti ynë, si pasojë e luftës që vazhdon në Ukrainë.

Bushati e zhvillon këtë bisedë me Michael Martens, gazetar me shumë eksperiencë i Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili mbulon vendet e Europës Juglindore. Ata prekin çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e qeverisë së re gjermane për Ballkanin Perëndimor, nëse do të kemi zgjerim të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor në mandatin e qeverisë së re gjermane.

Por, edhe se cili do të jetë fokusi i Gjermanisë dhe kancelarit Merz për sa i përket konsolidimit të projektit europian, në kushtet kur kemi një situatë të re dhe marrëdhënie të reja ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së. Ata gjithashtu ndalen dhe tek ndikimi i mundshëm i administratës Trump për të nxitur BE-në, dhe kësisoj Gjermaninë, si lokomotiva kryesore e BE- së, për të sqaruar një herë e mirë objektivat e projektit europian, dhe për ta konsoliduar atë?

“Rezultatet nuk ishin shumë të papritura. Ishin pak a shumë ajo çfarë prisnim sipas sondazheve. Ne e dinim se CDU-ja, pra konservatorët e udhëhequr nga Friedrich Merz, do të ishte partia më e fortë. E dinim se social-demokratët e kancelarit në detyrë, Olaf Scholz, do të humbisnin shumë”, tha Martens.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb