Duke komentuar rolin e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Prof. Dr. Edmond Panariti, ish-ministër i Jashtëm, i ftuar në “Open” në News 24, tha se partitë shqiptare duke dalë në dy blloqe politike kanë fituar më shumë mandate deputetësh. Ai komentoi edhe betejën midis kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti për të ndikuar te partitë shqiptare atje.

“Ka pasur një tendencë për të ndikuar te faktori shqiptar. Në kuptimin taktik, ndarja në dy blloqe është rezultativ pasi numri i deputetëve nga pala shqiptare është më i lartë. Pra faktori shqiptar fuqizohet në garimin në dy blloqe.

Ajo që pres nga faktori shqiptar është që të jetë solid në kushtin për ndryshimet kushtetuese. Ka një marrëveshje të heshtur, xhentillmenësh dhe shpresoj edhe të formalizohet. Druaj që forca qeverisëse do ta shtyjë këtë proces dhe që mban peng integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Nuk i duhet lënë kohë kësaj mazhorance dhe duhet të mbetet prioritet madhor integrimi që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese me 2/3-t e votave. Pala shqiptare duhet të jetë intransigjente sepse është edhe në interesin kombëtar”, tha ai.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb