Vllaznia, mes dilemash për shkak të dëmtimeve dhe një ecurie jo të mirë në javët e fundit, pret sot Partizanin në “Loro Boriçi” në një sfidë që do të jetë provë e madhe për të dyja skuadrat, megjithëse në kuadër të ndryshëm.

Vllaznia kërkon lërë pas momentin e keq të tri ndeshjeve pa fitore, saktësisht dy humbjeve dhe një barazimi, dhe të konfirmohet skuadra pretendente fillimisht për katërshen, por edhe për titullin kampion. Rikthimi në shtëpi dhe motivimi që mund t’u japin tifozët në “Loro Boriçi” me siguri do të jetë një shtysë në këmbët e kuqebluve, që shkojnë në këtë ndeshje për gjithçka ose asgjë.

Ndeshjen e fazës së parë arritën ta fitonin me një gol të Alivodës, teksa do të tentojnë të njëjtën gjë këtë herë, por pa mesfushorin, i larguar tashmë. Te Partizani kjo ndeshje është provë për “fronin” e kryesuesit. Të kuqtë nuk shkëlqyen në betejën me Elbasanin po në transfertë, por do të synojnë ta bëjnë këtë herë me kuqeblutë. Në rast hapi fals, “demat” mund ta humbasin kreun.

Me rivalët direkt Partizani ka vuajtur jo pak, pasi në fazën e parë e vetmja skuadër që ka mposhtur ka qenë Egnatia. Është mposhtur nga Vllaznia dhe ka barazuar me Dinamon dhe Elbasanin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb