Zamir Mati*
Edhe pse tri vite më i madh se unë, për herë të parë jemi njohur kur si një grup kulturor u nisëm së bashku në muajin shkurt të vitit 1967 në një fshat të thellë të Mallakastrës buzë
lumit të Vjosës, ujë shumë e të rrëmbyer të stinës dimërore. Edhe pse të organizuar, ne u gjendëm në ftohtësinë siç mund të jetë një i huaj në një fshat të thellë dhe nuk e kuptonim ftohtësinë e fshatarëve, e cila shtohej edhe më shumë në ato ditë dimri. Fjetëm në shtëpitë e tyre, fshatarët me dyshim na prisnin dhe pa fjalë na përcillnin çdo mëngjes, duke na dhënë nga një kuti të vockël me 6-7 kokrra ullinj për të ngrënë gjatë gjithë ditës. Ishte një situatë absurde, tjetër përshkrim që bënin ata që organizonin e drejtonin këto brigada kulturore dhe tjetër atmosferë e realitet ne njohën në një fshat ku askush, askush nuk deshte të dinte për ne. Falë Betimit, i cili na fliste me urtësi dhe diellit të atyre ditëve dimërore, kaluam si në një aventurë të gjithë së bashku buzë Vjosës duke iu shmangur fshatit dhe problemeve të tyre të shumta të përballimit të jetesës. Ishte Betimi me trupin e tij sportiv, që i pari çau ujërat e rrëmbyera të Vjosës dhe kaluam në bregun tjetër dhe po ai që na drejtonte për t’u kthyer në bregun tonë, ku dikush kishte ndezur zjarrin e në prushin e tij piqnim peshkun e sapozënë. Ishte Betimi që na fliste për natyrën, bukurinë e saj dhe që mbushte zemrat tona me ndjenjat e një poeti. Me dashurinë ndaj lumit dhe historive e legjendave për të. Për mua dhe shokët e të gjithë grupit ishte e pamundur dhe e kotë të vazhdonim këtë absurditet të kohës për të qenë vegël e sloganeve dhe duke kuptuar njëri-tjetrin u kthyem para kohe në Tiranë, por duke i dhënë fjalën Betimit se secili do të botonte diçka në shtypin e kohës. Betimi botoi një poezi, e cila fliste për pranverën që afron dhe krahas saj, një vizatim i malit me dëborë që ngrihej mbi bregun e lumit të Vjosës. Ne u lidhëm më shumë kur artistët dhe shkrimtarët gjenin në veprat e njëri-tjetrit vlera të pëlqyeshme dhe kjo na lidhte jo vetëm duke respektuar njëri-tjetrin, por edhe për të bashkëpunuar midis nesh. Dalja e një vepre të re ishte një shkak për të diskutuar dhe secili ishte i vëmendshëm për aktivitetin e mikut
dhe shokut, ashtu si uronim Betimin për poezitë apo edhe reportazhet e tij, ashtu midis nesh uronim njëri-tjetrin. Ne do të na mblidhte në tavolinë e të kthenim edhe një gotë realizimi i një filmi, libri apo shkrimi problemor prej Kiço Blushit, emision i realizuar nga Agron Çobani, reportazh i Alfons Gurashit, librat a tregimet e Nasi Lerës, peizazhet e Kujtim Buzës, këngët e mrekullueshme të Limoz Dizdarit, humori i gazetarit Enver Muça, Leka Bungo apo rezultatet e shkëlqyera të trajnerit të ekipit të “Dinamos”, Kreshnik Tartari. Ishte një kënaqësi të ilustroje poezitë e Betim Muços jo vetëm se ishte nga poetët, i cili me vargjet e tij sillte motive të reja por, edhe pse ato lidheshin me të bukurën dhe bashkëkohësen. Ashtu siç ishin edhe tekstet e këngëve, të cilat Betimi i zgjidhte me kujdes. Kanë qenë të vështira vitet ‘73, ’74 dhe diskutimet e këshillat ndaj njëri-tjetrit për të kuptuar atë që po ndodhte ishte ndihma më e mirë për të kaluar këto situata. Unë isha autor i kostumeve të festivalit të 11-të në radio TV dhe Betimi gjithashtu autor i teksteve
të këngëve, festival i njohur për historinë e tij, Betimi ishte i tillë, që vetëm informacioni dhe njohja me letërsinë e huaj i sillte atij pjekurinë e urtësinë e të kuptuarit të problemeve dhe largimit ndaj shablloneve, të cilat nuk i pranon arti i vërtetë. Gjithë herët ne gjenim te Betimi shokun e dashur dhe të interesuar për veprat e reja. Ai kishte dëshirë të bashkohej në udhëtim me grup shokësh për të njohur më shumë Shqipërinë, së bashku kemi qenë në Dardhë të Korçës, në Skrapar, Gjirokastër, etj.

Së bashku kemi kaluar ditë të gëzuara jo vetëm në tavolinat e Vitit të Ri në sallën e Lidhjes, por edhe midis shokësh në malin e Dajtit. Kemi gëzuar, kemi qeshur e jemi lumturuar në mbrëmjet tona, në tavolinat e shumta ku shpeshherë diskutimet na çonin në qejfmbetje, por po ne veçanërisht Betimi ishte ai që më shumë se çdokush dëshironte të
shuante çdo keqkuptim e mëri dhe e vetmja mënyrë ishte të diskutonim për problemet
e artit e të letërsisë. Betimi e kishte kuptuar se vetëm arti, letërsia me vlera do të na përparonte vendin, të cilin e duam të gjithë. Unë veçanërisht nuk harroj takimet e mija me mikun e shokun tim të vjetër Betim këtu në Paris, shkëmbimet e bisedave me Betimin për të rejat nga Shqipëria, nga shokët tanë dhe familjet tona, nuk harroj trishtimin e tij për
ikjen e shokëve tanë të shtrenjtë, për Agron Çobanin, Melsin, shkrimtarin Dhimitër
Xhuvani. Ashtu siç nuk harronte asnjëherë të flisnim për shokët që ndodheshin në Amerikë, Albert Shala, Leka Bungo, etj. Ai ndiqte me një respekt të thellë veprat e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe gjatë qëndrimit të tij këtu në Paris do të kishte kënaqësi e respekt për takimet me të.
Gjatë ditëve të qëndrimit së bashku kemi shkuar në librarinë ‘Shekspir’, që gjendet në lagjen latine, ku Betimi zhytej me kuriozitet midis librave në gjuhën angleze të cilën e zotëronte, kërkonte informacion dhe do të zgjidhte për të blerë ato libra, të cilat kishte dëshirë të ia sillte të përkthyera lexuesit shqiptar me shtëpinë e tij botuese, që tashmë shënon një numër të konsiderueshëm veprash. Në marsin e kaluar u ndal këtu në Paris për dhjetë ditë përpara se të vinte në Shqipëri. Së bashku uleshim në mbrëmje në restorantin “Atlas” në rrugën ‘Buci’ të lagjes së ‘st. Germaine’, lagjes së ‘Jan Pol Sartit’, ‘Simon de Bauvoir’, aty ku ka jetuar Oskar Wilde, Witmani, aty ku kanë jetuar shkrimtarë e artistë
dhe është firmosur edhe pavarësia e Amerikës. Uleshim mbasi do shihnim libraritë e famshme dhe Betimi do të lumturohej kur në librarinë ngjitur me kafenë e dy mago-ve do të shihte albumet e fotografit nga Kosova Alban Jupolli apo premtimin, që gjatë vizitës që do të bënte në Prishtinë te Sagita, e bija, do të takonte edhe piktorin e talentuar kosovar me origjinë nga Presheva, Eshref Qahilin. Është e pamundur që në këto radhë të mos shpreh keqardhjen që tavolinat tona ishin të fundit kur trokitnim gotat me verë “Cheval Noire” dhe kur diskutimet tona ndizeshin si gjithë herët për artin e problemet e tjera të cilat vendi ynë, mëmëdheu nuk po gjen rrugët e zgjidhjeve, ashtu si ngritëm gotat me miqtë tanë të ftuar Gjergj Leka, Gjergj Themeli, për të cilët takimi me shkrimtarin dhe fizikantin e shquar do të mbetet një kujtim i paharruar, ashtu si edhe për të gjithë ne që e njohëm e jetuam së bashku në të njëjtën kohë. Betimi u largua, por emri i tij mbetet në letërsinë e shkencën shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb