Nga Vau i Dejës, Armir Mehaj, News24

“Betlehemi i gjallë’ i kthyer tashmë në traditë në fshatin Hajmel të Vaut të Dejës tërhoqi vëmendjen e qindra vizitorëve nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, duke improvizuar realitetin e rreth 2000 vjetëve më parë me lindjen e Krishtit. Në një skenë teatrale, në qiell të hapur që i përngjan antikitetit, mbi 250 banorë të zonës aktrojnë vullnetarisht duke të futur në botën e udhëtimit drejt lindjes së Jezusit.

Për gazetarin e News24, Armir Mehaj qytetarët pohojnë se përjetuan shpresën që sjell lindja e tij.

“Kjo ka filluar që në vitin 2018. Së bashku me besimtarët e tre fshatrave, vullnetarisht të gjithë marrin si aktorë që kalojnë 4-5 orë duke qëndruar këtu brenda “Betlehemit”, duke i bërë këto festa më të gjalla, siç është edhe tradita Françeskane për të rindezuar edhe njëherë në zemrat e besimtarëve dëshirën për Krishtin”, shprehet një prej banorëve.

Pamjet që të kthejnë pas në kohë emocionojnë vizitorët teksa kujtimet lidhen me shkrimin e shenjtë që sjell realitetin e mbi 2 mijë viteve më parë.

“Është vërtetë një ndjesi shumë e bukur dhe e veçantë”, shprehet një vizitore.

“Është hera e parë që vij këtu dhe jam shumë e lumtur. Shoh njerëz nga të gjitha anët”, thekson një vizitore tjetër.

“është hera e parë për mua këtu. Dhe kam ngelur pa fjalë. është origjinal sikur të ishim 2 mijë vjet përpara”, shton një vizitor.

“Vij nga Kosova, këtu është shumë bukur, i gjithë populli shqiptar i bashkuar”.

“Betlehemi i gjallë” sipas organizatorëve synon të përcjellë mbi të gjitha mesazhin e një shprese të re për botën dhe mbi të gjitha bashkimin e njerëzve në pritje të lindjes së madhe.

Qyteti i improvizuar i Betlehemit në fshatin Hajmel të Bashkisë së Vaut të Dejës është një shembull i gjallë i lindjes së Krishtit përmes të cilës përcillet mesazhi i bashkimit, paqes dhe se pas vështirësive sigurisht vijnë ditë të mira.

“Betlehemi i gjallë” vetëm në natën e parë tij u vizitua nga rreth 2 mijë qytetarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe jo vetëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb