Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha prezanton Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Ministri Hoxha u shpreh se ceremonia zyrtare e betimit të Ilir Prodës do bëhet në një moment të dytë kur të zgjidhen edhe drejtuesit e 12 qarqeve. Ministri i Brendshëm deklaroi se reforma në Policinë e Shtetit do të vijojë. Hoxha tha se emërimi i Ilir Prodës është hapi i parë i ndryshimeve që sipas tij do të prekin strukturën e policisë në qendër dhe drejtoritë vendore.

Nga sot prej Policisë së Shtetit ne presim qëndrueshmërinë e rezultateve, por sidomos rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së shërbimit në të gjithë sektorët. Do merren në analizë të gjitha nivelet. Ne duam të arrijmë ato objektiva, e persëris nuk ka asnjë objektiv të pamundshëm sado ambicioz të duket në pamje të parë. Emërimi i drejtorit të ri është hapi i parë që do të pasohet nga disa ndryshime në qendër dhe drejtoritë vendore, për të plotësuar kuadrin e reformave që kemi nisur. Në procesin e përzgjedhjes së stafeve dhe drejtuesve të policisë nuk do të ndikojnë faktorë të tjerë përpos meritës. Promovimi në karrierë me meritokraci dhe integritet profesional. Dua që sa më shpejt të formatojmë Policinë e Shtetit atë që tashmë ka arritur një standard shumë të lartë, sidomos në një kohë kur Shqipëria po hyn në fazën e anëtarësimit në BE. Jemi realisht në një fazë me zhvillime të rëndësishme historike,m angazhimi dhe kontributi i dhënë ndër vite nga drejtuesit e policisë dhe paardhësit tuaj do të marrin padiskutim vlerat e duhura”, u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Nga ana e tij, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh se gjatë detyrës së tij do t’i përmbahet zbatimit rigoroz të ligjit. “I vendosur për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike. Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit“, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb