MAQEDONI

Në institucionin Avokati i Shtetit në Maqedoni ka raste të pa zgjidhura dhe që zanafillën e tyre e kanë që nga viti 2000.

Rasti më i vjetër civil daton që nga viti 2004 dhe aktualisht është ende në procedurë në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare, por me betimin e ri të 6 avokatëve shtetërorë, mes tyre tre shqiptarë , janë shtuar shpresat e qytetarëve se do mund të gjejnë drejtësinë e munguar në këto dy dekada.

Pas betimit të gjashtë avokatëve të rinj shtetëror, i pari i këtij Institucioni Fehmi Stafa shpreson se mund të arrijnë të zgjidhin edhe rastet që janë të vjetra po aq sa edhe vet Institucioni Avokat i Shtetit.

Sot Institucioni Avokati i Shtetit pasurohet edhe me 6 avokatë të rinj shtetërorë. Me këtë përforcim shpresoj se avokatura shtetërore do të rrisë kapacitetet për zgjidhjen e kontesteve, ku disa prej rasteve janë po aq të vjetra sa ky institucion- deklaroi  Fehmi Stafa- Avokati i Shtetit

Ndër problemet me të cilat ballafaqohet ky Institucion është edhe mungesa e evidencës elektronike gjë që u pamundëson të kenë të dhëna të sakta për atë se sa lëndë ka fituar apo ka humbur shteti kundrejt personave juridik apo privat. Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa, thotë se me kërkesë të tij tashmë ka filluar të bëhet aplikimi i një sistemi elektronik dhe në procedurë e sipër është regjistrimi i të gjitha të dhënave.

Ky sistem pritet që të vihet në funksion në rreth muajit maj. Në bazë të raporteve vjetore të këtij Institucioni rezulton se gjithsej në 4 vitet e fundit janë  shqyrtuar rreth 900 mijë raste, prej të cilave 212.855 në vitin 2018. Numri i rasteve të shqyrtuara për vitin 2018 për zonën e Shkupit është  55059, shkruan Alsat.

Gjithsej në Maqedoni ka 35 Avokatë të Shtetit, ndërsa 12 prej tyre janë për zonën e Shkupit. Pesë nga 6 avokatët e rinj të emëruar sot, tre prej të cilëve janë shqiptarë, do të veprojnë në zonën e Shkupit, ndërsa një në zonën e Kumanovës.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb