SUKTH

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Sukthi tha se asnjë ndërtesë e shkatërruar nga tërmeti nuk duhet  prishur pa kryer më parë një studim  të mirëfilltë. Sipas kryeopozitarit, hetimet duhet të vijojnë dhe abuzuesit me ndërtimet duhet të japin llogari para ligjit. Ai i bëri thirrje përsëri kryeministrit Edi Rama të dëgjojë dhe aplikojë 3 propozimet e opozitës, ndërsa tha se procesi i vlerësimit të banesave duhet të ecë më shpejt dhe pa humbur kohë.

“Shembja e shpejtë e objekteve është kriminale. E para duhet studiuar se përse ndodhi dhe çfarë ndodhi. Betoni flet. Mënyra se si është shkatërruar një banesë  tregon gjithçka, që nga zbatimi i projekti deri tek kodet e ndërtimit.  Para se të shembet duhet të studiohet. Çdo objekt përbën sot e tutje provë materiale për hetimet penale. Ka përgjegjësi kjo punë. Janë 51 persona të hyrë në dhe. Dhe e treta duhet të nxirren orenditë sigurisht pa rrezikuar njerëzit. Fokusi ynë është të ndihmojmë njerëzit. Prokuroria  ka ligjin. Nëse Prokuroria merret zvarrë dhe kthehet në vegël ky është problem tjetër. Në do të mbështesim çdokënd. Të përshpejtohet procesi i vlerësimit. Ka më pak vlerësues në terren seç duhet të kemi. Mirënjohje për këtë që ndihmon, por tani shteti duhet të marrë përgjegjësi  për veprime të koordinuara”-tha ai.

Pyetje: Nga aktekspertimi dhe aktkonstatimi që janë bërë nga inxhinierët ka pasur raste kur banesat janë shembur dhe banorët ankohen se janë shembur bashkë me orenditë shtëpiake, dokumentacion dhe me gjithçka që kanë pasur brenda. Ju si e komentoni këtë fakt?

Lulzim Basha: Unë nuk kam koment në kuptimin politik të fjalës, por dua t’ju them çfarë më thanë inxhinierët dhe ekspertët para dy netësh. Shembja e shpejtë e objekteve është kriminale.

E para e punës duhet studiuar për të parë çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe këtë e bën çdo vend që kalon një tragjedi të tillë për të përdorur fjalën e një prej profesorëve të nderuar aty që dukej që kishte respektin e të gjithë kolegëve – betoni flet. Mënyra se si është shkatërruar një ndërtesë tregon gjithçka që nga zbatimi i projektit deri tek kodet e ndërtimit, përmirësimet që duhen bërë.

Për të mësuar që në të ardhmen, larg qoftë, të mos na përsëriten gjëra të tilla, gjëja e parë që duhet bërë, është se duhet studiuar çdo objekt përpara se të shembet. Çdo objekt përbën sot e tutje provë materiale për hetime penale.

Ka përgjegjësi kjo punë. Janë 51 njerëz të futur në dhe’ dhe qindra të tjerë të plagosur dhe mijëra të traumatizuar.

Kjo nuk do të shkojë pa përgjegjësi. Përbën provë materiale.

E treta, mund të bëhet një përpjekje minimale pa rrezikuar njerëzit, për të nxjerrë orenditë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb