NGA BRIKENA METAJ*

E ndërsa Gjirokastra ‘përpëlitet’ mes përpjekjeve për të dalë nga betonizimi ku është zhytur prej vitesh, duket se janë vetë institucionet shtetërore ato që legjitimojnë vazhdimësinë e kësaj tradite shkatërrimtare të trashëgimisë kulturore. Projekti për rikonstruksionin e godinës së bibliotekës së qytetit, e vendosur prej shumë vitesh në një prej monumenteve të kulturës të kategorisë së dytë, parashikon restaurimin e brendshëm dhe të jashtëm të kësaj godine. Por ajo që lehtësisht i bie në sy çdo kalimtari është mbulimi i çatisë me soletë betoni. I pyetur në lidhje me këtë fakt dhe sa cenohet e drejta e trashëgimisë kulturore gjatë këtij restaurimi, arkitekti i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, Kreshnik Merxhani, thotë se punime të tilla në një objekt të kategorisë së dytë lejohen nëse janë të aprovuara.

“Kemi të bëjmë me një monument të kategorisë së dytë dhe në këtë rast punime të tilla lejohen gjithmonë nëse janë të aprovuara. Në lidhje me projektin e rikonstruksionit të bibliotekës, kemi kërkuar informacion mbi projektin pranë autoriteteve përkatëse që janë marrë me hartimin e tij. Bashkia Gjirokastër ka kërkuar nga Drejtoria e Monumenteve disa specifikime për sa u përket pjerrësive dhe mënyrës së shtrimit të çative. Ne u kemi sugjeruar studimin më të mirë dhe më të plotë ‘Gjirokastra, qyteti muze’, i prof. Emin Rizës, i cili specifikon qartë e pastër sa është përqindja e çative, si mbulohen, trashësitë e rasave etj.” – thotë Merxhani.

Sipas përfaqësuesit të DRKK në Gjirokastër, në hartimin e këtij projekti janë marrë parasysh një sërë faktorësh risku, ku më kryesori është rreziku nga zjarri. Kreshnik Merxhani pohon se është pikërisht ky, qëllimi i mbulimit të çatisë me soletë dhe shmangia e strukturës së drurit në brendësi të objektit. Ai pohon se ky fakt nuk do të cenojë paraqitjen e jashtme të monumentit, që pritet të ruajë pamjen e shtëpive karakteristike gjirokastrite.

“Nuk duhet harruar fakti që kemi të bëjmë me një bibliotekë dhe ato janë përherë të rrezikuara nga zjarri. Kjo do të thotë se, në qoftë se lihet struktura e drurit e ekspozuar, risku është shumë herë më i lartë. Duhet bërë dallimi midis një objekti të tillë publik dhe një banese. Në objekte të tilla kontrolli ndaj zjarrit është shumë më i limituar sesa në një banesë. Problem tjetër është edhe mungesa e ujit, që nxjerr jashtë funksionimit edhe impiantet e ujit. Në bazë të këtyre risqeve, projektuesit e atij objekti kanë menduar që të gjejnë një zgjidhje, e cila respekton pamjen e jashtme duke e trajtuar me çati guri me strehë të dala e të veshura me tavane druri, por nga ana tjetër, ky projekt i siguron këtij objekti një mbrojtje nga armiku kryesor, që është zjarri.”

Po kështu pohon edhe nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër, Vangjel Muço, i cili sqaron se projekti për rikonstruksionin e bibliotekës së qytetit është një financim i Komitetit Evropian me vlerë 40 mijë euro dhe një projekt i hartuar nga inxhinierë të licencuar. “Fakti është zëvendësimi i çatisë së dikurshme me tjegull që tashmë do të mbulohet me rasë guri, ndërsa soleta e betonit që shërben për ruajtjen dhe jetëgjatësinë e objektit do të jetë e kamufluar dhe krejtësisht e padukshme”, – pohon Muço.

“Hedhja e soletës në një monument të kategorisë së dytë është shkelje flagrante e ligjit të trashëgimisë”. Ky pohim vjen nga specialisti i trashëgimisë kulturore, Vladimir Qirjaqi. Ai shton më tej se, pretendimet për mbrojtje nga zjarri janë të pajustifikueshme. “Me këtë logjikë, duhet t’i hedhim soletë edhe shtëpisë së Zekatëve, – shton Qirjaqi, – meqenëse është 90% e ndërtuar me dru. Mbrojtja nga rreziku i zjarrit përcaktohet qartë në rregullore dhe rregullorja specifikon se në monumentet e kategorisë I dhe II nuk lejohen ndryshimet në strukturë, ndërkohë që nuk është bashkia ajo që ka kompetencën të hartojë dhe miratojë projekte. Projekti i restaurimit duhet të jetë i miratuar nga KKR dhe në këtë rast nuk është.”

LIGJSHMËRIA
Rregullorja e re e administrimit të zonave të mbrojtura të Gjirokastrës, ku bën pjesë pikërisht godina e bibliotekës, e vendosur në një nga lagjet karakteristike e më të vjetra të qytetit, në lagjen “Varosh”, neni 15 i saj thotë se projektet e rikonstruksionit të ndërtesave në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte të licencuara (për fushën) me konsultën e DRKK Gjirokastër ose subjekteve të licencuara për projektim në fushën e restaurimit. Rregullorja miraton shfrytëzimin e monumenteve (neni 16) edhe për funksione të tjera nga ato që janë ndërtuar, veçse kjo vënie në përdorim, nuk duhet të dëmtojë vlerat për të cilat monumenti është vënë në mbrojtje.

A e dëmton mënyra e restaurimit të këtij objekti trashëgiminë kulturore? A humbet shtrimi me soletë elemente të arkitekturës së shtëpive gjirokastrite? A shkelet ligji i trashëgimisë kulturore? Këto janë pyetjet që ngrihen sot gjatë restaurimit të kësaj biblioteke. E nëse specialistët në Gjirokastër janë të ndarë mes respektimit apo jo të ligjit të trashëgimisë dhe ndërtimeve në zonën e mbrojtur, mbetet në dorë të institucioneve përgjegjëse shtetërore të japin një përgjigje përfundimtare.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb