Më në fund Biden u tërhoq nga gara presidenciale; demokratët, mbështetësit e tyre, amerikanët dhe gjithë bota muarën frymë të lehtësuar. Me vendimin tij të shumëpritur, Presidenti Biden i dha fund dilemës “të jem apo të mos jem! (kandidat) Kishte muaj që makthi i saj kishte mbërthyer “për fyti” kampin demokrat.

Në fakt, dilema Bideniane ishte shumë më e madhe dhe me pasoja se ajo Shekspiriane; sepse në lojë ishin jo vetëm humbja e Shtëpisë së Bardhë; e cila, sado e rëndë do të ishte prapë vetëm gjysma e të keqes. Siç po shkonin punët, rrezikohej që dhe shumica në Dhomën e Përfaqësueve dhe në Senat të binin në duart e republikanëve, me ndikime negative serioze në balancat demokratike të pushteteve në SHBA. Ndaj dhe liderët botërorë nxituan ta përshëndesnin këtë vendim vërtet historik për të demokracinë amerikane dhe shumë më gjerë.

Në fakt nuk kishte se çpritej më. Kudo, brenda dhe jashtë kampit demokrat flitej dhe kërkohej me këmbëngulje tërheqja e detyrueshme e Bidenit nga gara përpara se të ishte tepër vonë, kur do të fillonte rebelimi i hapur dhe kaosi, çka do të çonin në një katastrofë të sigurt politike dhe zgjedhore për demokratët por jo vetëm.

Dhe anketimet më të fundit serioze në SHBA tregonin se mbi 80 për qind e amerikanëve e shihnin si shqetësim serioz moshën biologjike të dy kandidatëve; por shumica, gati 70 për qind e tyre hallin më të madh e kishin me Presidentin Biden; jo vetëm pse është gati 82 vjeç por sepse fizikisht ishte larg kërkesave për një fushatë energjike, dhe ca mùë tepër për aftësitë mendore, nisur nga lapsuset dhe ngatërresat e përsëritura gjatë prononcimeve publike. E kundërta ndodhte me Trumpin energjik, i cili mbas atentatit të dështuar më 14 korrik, republikanët janë rreshtuar vërtet “ si një trup i vetëm i bashkuar rreth tij”!

Për rrjedhojë, “aksionet politike në bursën zgjedhore” të zotit Trump ishin rritur së tepërmi, duke shtuar frikën dhe pasigurinë në kampin demokrat dhe te vendet aleate; diplomacia e tyre javët e fundit po ngutej për kontakte me Trump, duke menduar dhe skicuar alternativat e duhura, në rastin e një fitoreje të tij, çka po dukej përherë dhe më e afërt deri ditën e djeshme. Tani situata ndryshon tërësisht.

Të kuptohemi drejt, këtu nuk bëhet fare fjalë për mungesë respekti apo diskriminimi për arsye moshe. Padyshim që Presidenti Biden gëzon respekt të madh falë personalitetit dhe përvojës së tij mbi 5 dekada si senator, 8 vjet si zv. President dhe 4 vjet më parë e mundi në fushëbetejë “dinosaurin” Donald Trump.

Kjo po duket dhe në vlerësimet e tanishme për të kudo, si ndër presidentët më të rëndësishëm, i cili në 4 vjet ka bërë ndoshta më shumë se të tjerë në 8 vite.
Por fjala është për një aspekt jetik dhe vitalitetin e demokracisë liberale perendimore; sidomos në super shtetin më të fuqishëm të botës, ku demokracia lulëzon dhe rinovohet çdo ditë deri në majat më të larta të saj.

Mirëpo, këtë radhë temperatura politike ishte rritur ndjeshëm sepse ndryshe nga më parë, Presidenti Biden përballej me 10 sfida të brendshme dhe të jashtme, njera më e vështirë se tjetra, ku spikatin agresioni rus ndaj Ukrainës me kërcënime të mëtejshme dhe rreziku i përshkallëzimit të konfliktit në Gaza. Në fakt, Biden përballet me kërcënime po aq të rrezikshme sa Kenedi me krizën e Kubës më 1962 dhe Bush me terrorizmin më 2001; me dallimin e madh se Kenedi dhe Bush ishin shumë më të rinj në moshë, me plot energji fizike dhe mendore.
Krahas moshës dhe shëndetit, shqetësimi tjetër madhor është pse në kushtet optimale të demokracisë amerikane nuk dalin dy kandidatura të tjera fituese, kur atje ka patur dhe ka shumë personalitete rrezatuese nga të dy krahët politikë?

Më konkretisht, 64 vite më parë amerikan u zgjodh presidenti më i ri amerikan, emblematiku, Xhon Kenedi. Atëhere Hrushovi fërkoi duart nga gëzimi për shkak të moshës fare të re dhe mungesës së përvojës ushtarake të Kenedit. Mirëpo, ai dhe të tjerë u zhgënjyen shumë shpejt, kur Kenedi e sfidoi Hrushovin në krizën e raketave me Kubën dhe në ballafaqimin politik dhe ushtarak në Berlin në vitin 1961 dhe mbas ngritjes së Murit të Berlinit. Ndonëse vetëm tre vjet si President, Kenedi mbetet më i riu dhe ndër më të mëdhenjtë presidentë amerikanë.

Në vitin 1992 Presidenti Bill Clinton mposhti Bushin historik, me respektin më të madh si veteran i luftës, por “jashtë kohës” për sfidat e reja për SHBA-të.

Duke iu rikthyer shqetësimit të lartpërmendur, liderë kalibri si Biden dhe Trump është e pamundur t’i rrëzosh me votë dhe brenda partive të tyre, për shkak të emrit, famës, lidhjeve, lobingjeve, pushtetit dhe pasurisë. Në këto kushte, zgjidhja më e mirë dhe demokratike, sipas ekspertëve ishte që Biden të hiqej vetë mënjanë dhe t’i hapte rrugën më të rinjve.

Dhe pikërisht kjo ndodhi më 21 korrik, duke ia ”lënë stafetën” Nënpresidentes karizmatike Kamala Harris, emri i të cilës po lakohet kudo si kandidatja më e favorizuar për të zëvendësuar Bidenin. Veç të tjerash, Harris është Nënpresidentja e parë afrikano-amerikane dhe indiane dhe po të fitojë, do të ishte presidentja e parë amerikane. Ajo ka siguruar menjëherë mbështetjen dhe simpatinë e disa prej figurave më të shquara demokrate amerikane, duke filluar nga ish presidentët Clinton dhe shumë të tjerë.

Sigurisht që ky fakt domethënës, pa nënvleftësuar disa kandidatë të tjerë seriozë përbën një lehtësi të madhe për emërimin e saj. Gjithsesi kërkohet kujdes, sepse çdo diskutim, debat dhe grindje për emrin, kur 19 Gushti i Konventës po u troket te porta demokratëve, vetëm sa do të ndërlikonte procesin, duke çuar dashur pa dashur ”ujë në mullirin” Republikan e duke zeruar kështu dhe vetë tërheqjen historike të Presidentit Biden.

Vlerë tjetër e madhe e vendimit të djeshëm është se Presidenti Biden dha shembullin e një burri shteti, duke u ngritur mbi një traditë jo të mirë në këtë fushë, kur liderë të mëdhenj në moshë të kaluar dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore të shteteve të mëdha demokratike i ka zënë sëmundja e ”pushtetomanisë” dhe me shumë vështirësi ”shqiten” nga kolltuku i pushtetit.

Duke filluar nga Britania e Madhe, Çurçilli emblematik në vitin 1945 humbi përballë laburistit Clement Attlee. Gjithsesi, ai rifitoi në zgjedhjet e vitit 1951. Mirëpo mosha bënte të vetën, shëndeti dhe sëmundjet po, por ai nuk hiqte dorë dhe pse kishte kaluar të tetëdhjetat. Ai dremiste në mbledhje, i binte të fikët deri sa pësoi goditje në tru. Në këto kushte, Mbretëresha Elisabeta II i shkoi për vizitë në shtëpi, çka sipas kodit mbretëror ishte ftesa e butë për të dhënë dorëheqjen, që ai e bëri të nesërmen. Vdiq pak vite më vonë, në moshën 91 vjeçare, i nderuar kudo.

Në Gjermani, Konrad Adenauer, “ babai” i Gjermanisë demokratike qëndroi 14 vite Kancelar; megjithëse po i afrohej të 90-ve dhe me probleme shëndetësore ai nuk pranonte të largohej e t’ia linte vendin zëvendësit të vet, ministrit legjendar të ekonomisë, Prof. Ludvig Erhard; krijuesi i ”mrekullisë ekonomike dhe shtetit social” gjerman. Mezi u dorëzua dhe vdiq 3 vjet mbas dorëheqjes në moshën 91 vjeçare!

Helmut Kohl, “babai” i ribashkimit gjerman” më 1998, mbas 16 vite në pushtet i injoroi thirjet e bashkëpunëtorëve më të ngushtë që të mos kandidonte për të pestën herë; mirëpo ai vazhdoi në të tijën, duke humbur keq përballë social-demokratit Schroder; humbje e pritshme, sepse Kohli e kishte kryer misionin e nuk kishte ç’ti ofronte më Gjermanis.
Nxënësja e tij politike, ish Kancelarja Angela Merkel bëri të kundërtën po mbas 16 vite në pushtet; ajo dha dorëheqjen nga kreu i CDU-së dhe njoftoi moskandidimin për të pestën herë si Kancelare më 2019, 2 vjet përpara zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 2021.

Gjithnjë duke iu referuar vetëm vendeve me sisteme demokratike pluraliste, kjo ka ndodhur dhe me Abedelaziz Buteflika në Algjeri; në vitet 60 si ministër i jashtëm për 15 vite deri më 1978; pastaj nga viti 1999 – 2019, 20 vite rresht President i Republikës! U sëmur, pësoi hemoragji celebrale, u paralizua dhe prapë me “këmbë zvarrë“ derisa e çuan në shtëpi, ku vdiq 2 vite më vonë në moshën 89 vjeçare!

Më kujtohet se të nesërmen e mbërritjes time në Bejrut, Liban, në dhjetor 1978, emri i parë që lexova në shtyp ishte Mishel Aouen, gjeneral dhe komandanti i ushtrisë libaneze. U habita 3 – 4 vite më parë kur pashë se ishte ende president në moshën 89 vjeçare, megjithë skandalet në Beirut, korrupsionin dhe shkatërrimin e portit, ndonëse mezi qëndronte në këmbë dhe kur jashtë bëhej nami ai nuk tundej! Mezi u zvarrit ditën e fundit të mandatit nga pallati presidencial, por sërish duke thënë se karriera e tij politike nuk kishte marrë ende fund!!!

Këto dhe të tjera raste, sipas politologëve dhe analistëve tregojnë se ndonëse këta njerëz të shquar dhe demokratë të mëdhenj kanë kontribuar jashtëzakonisht për sigurinë, paqen dhe demokracinë, ata “ ngelen në klasë” kur vjen puna te rotacioni politik, sepse u duket se pa ta në zyrë bota do të përmbyset; ata nuk jetojnë dot pa pushtet, pa imazh, pa vëmendje publike! Mirëpo, kësisoj, ata vetë bëhen pengesë për përparimin e demokracisë, duke e “hipotekuar atë si pronë të tyre!

Veç sa sipër, falë vendimit të tij, Presidenti Biden iu bashkua shembujve më të mirë të homologëve të vet të mëparshëm të shquar, të cilët kanë ikur me vullnetin e tyte të lirë kur u ka ardhur koha apo dhe më parë, duke u çelur rrugën pasardhësve të tyre më të rinj dhe me përvojë premtuese.

Kështu, në SHBA, Carteri 100 vjeçar ka 47 vjet larg Shtëpisë së Bardhë, por falë misioneve të tij të paqes dhe ndërmjetësimit nëpër konflikte kudo në botë, fitoi famë dhe më të madhe se kur ishte president! Madje, iu dha dhe Nobeli për paqe!

Në Gjermani, ish Kancelari Schmidt të cilin e larguan me një votëbesim të dyshimtë më 1982 nuk pranoi më rikthimin megjithë moshën e re 64 vjeçare dhe lutjet që iu bënë. Gjatë 34 viteve jashtë kancelarisë derisa u nda nga jeta më 2015 botë, ai botoi 30 “ best seller” gjeopolitikë dhe ligjernte kudo në botë; liderët gjermanë e pyetnin mbi zhvillimet politike, si “kancelari më i mençur dhe i zemrave” gjermane!
Në Austri, Kancelari i shquar Franz Vranicki dha dorëheqjen në kulmin e suksesit të tij mbas 12 vitesh në krye të koalicionit të madh konservatorët e djathtë. Dy muaj më vonë, në mars 1997 erdhi i Dërguar i Posaçëm i OSBE-së për krizën në vendin tonë. Pata fatin ta shoqëroj si përkthyes në ato 8 muaj të jashtëzakonshëm të vitit të mprasht 1997, njeri i thjeshtë, i qartë, modest. Vazhdon të punojë si këshilltar në njerën prej bankave më të mëdha vjeneze, zanati i tij i parë!

Së fundi, Presidenti i mirënjohur dhe i ndjerë finlandez, Marti Ahtisaari, ndonëse në moshë premtuese nuk kërkoi mandat të dytë presidencial në vitin 2000, duke ia lënë stafetën një Zonje të madhe si Tarja Halonen.

Si përfundim, me largimin ndonëse disi të vonuar të Presidentit Biden nga gara presidenciale, shanset e demokratëve për fitore më 5 nëntor shtohen ndjeshëm. Kjo duket qysh tani në sondazhe, në frymën e re mes demokratëve dhe në ” vërshimin” e kontributeve financiare për Kamala Harris. Këtu nuk mund të lihet pa u theksuar se tërmeti politik ”Biden” i 21 korrikut ka goditur fort dhe Trump-in me ekipin e tij, duke i detyruar të bëjnë shumë ndryshime në strategjinë, taktikat dhe narrativat e fushatës, me pasiguri të shtuara në fitoren e pretenduar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb