Joe Biden i është drejtuar kombit përmes një konference nga Shtëpia e Bardhë, dalja e parë pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit nga demokratët. Në fjalën e tij Biden u shpreh se amerikanët e zgjodhën presidentin e tyre ndërsa tregoi se një ditë më parë kishte biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur, Donald Trump dhe i kishte uruar atij fitoren.

Jo Biden shtoi gjithashtu se kandidatja demokrate Kamala Harris, duhet të jetë krenare për fushatën që bëri.

Presidenti amerikan në detyrë u zotua për një transferim paqësor pushteti te republikanët dhe Donald Trump në datën 20 janar 2025.

“Populli voton dhe zgjedh liderët e tij, dhe ata e bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Dhe ne jemi në një demokraci. Vullneti i popullit gjithmonë mbizotëron. Dje fola me Presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe e sigurova se do të drejtoja të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që populli amerikan meriton. Dje fola edhe me Zëvendës Presidenten Harris. Ajo ka qenë partnere dhe shërbyese publike. Ajo dha gjithë zemrën dhe përpjekjen e saj dhe ajo dhe i gjithë ekipi i saj duhet të jenë krenarë për fushatën që zhvilluan. Fushatat janë gara të vizioneve konkurruese. Vendi zgjedh njërën ose tjetrën.

Ne pranojmë zgjedhjen që bëri vendi. Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord. Diçka që shpresoj se mund të bëjmë pa marrë parasysh kë ke votuar, është ta shohim njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si amerikanë të tjerë. Ulni temperaturën. Unë gjithashtu shpresoj se ne mund t’i japim fund pyetjes rreth integritetit të sistemit zgjedhor amerikan. Është i sinqertë, është i drejtë dhe transparent. Dhe mund t’i besohet, të fitojë ose të humbasë. Unë do të bëj detyrën time si president.

Unë e përmbush betimin tim dhe do të respektoj Kushtetutën. Më 20 janar, ne do të kemi një transferim paqësor të pushtetit këtu në Amerikë. E di që është një kohë e vështirë. Jeni të lënduar. Unë ju dëgjoj dhe ju shoh. Por mos harroni. Mos harroni gjithçka që kemi arritur. Ka qenë një presidencë historike. Jo sepse jam president, sepse çfarë kemi bërë ne, çfarë keni bërë ju“, u shpreh Joe Biden.

Donald Trump fitoi zgjedhjet Presidenciale të 5 nëntorit përballë demokrates Kamala Harris. Trump fitoi 295 vota elektorale, kundrejt 226 të Harris. Kandidati republikan triumfoi edhe në shtetet të cilat konsideroheshin të lëkundshme në këto zgjedhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb