Presidenti Joe Biden ka komunikuar me ish-Presidentin Donald Trump dhe zv.Presidenten Kamala Harris, në përmbyllje të zgjedhjeve në SHBA, ku kandidati republikan mori një fitore të madhe kundrejt kandidates demokrate.

Mediat amerikane raportojnë se Biden foli në telefon me zëvendëspresidenten Harris, të cilën e përgëzoi për fushatën e saj historike.

Presidenti Biden foli gjithashtu me telefon me Presidentin e zgjedhur Trump dhe e uroi atë për fitoren e tij. Presidenti Biden shprehu angazhimin e tij për të siguruar një tranzicion të qetë dhe theksoi rëndësinë e punës për të bashkuar vendin.

Ai ftoi gjithashtu presidentin e zgjedhur Trump të takohet me të në Shtëpinë e Bardhë. Stafi do të koordinojë një datë specifike në të ardhmen e afërt.

Nesër, Presidenti Biden do t’i drejtohet kombit për të diskutuar rezultatet e zgjedhjeve dhe tranzicionin.

Më herët u raportua se Harris dhe Trump folën në telefon, konfirmoi fushata e ish-presidentit Trump.

“Presidenti Donald J. Trump dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris folën me telefon më herët ku ajo e uroi për fitoren e tij historike”, tha Steven Cheung, Drejtor i Komunikimit të Fushatës Trump në një deklaratë për Fox News.

“Presidenti Trump e vlerësoi zv. Presidenten Harris për forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen e saj gjatë gjithë fushatës dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e bashkimit të vendit”, tha Cheung.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: