Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio shpalli kandidaturën për president, duke u bërë një prej mbi 20 demokratët që hyn në garë për emërimin e partisë së tij. Zoti Blasio përpiqet me këtë kandidaturë të fitojë një rol në arenën politike kombëtare, gjë që nuk e ka arritur dot si kryetar bashkie i qytetit më të madh në SHBA.

Ndërkohë ish-nënpresidenti Joe Biden ka siguruar një epërsi të thellë mes konkurrentëve demokratë për vitin 2020. Anketat e fundit tregojnë se zoti Biden, kryeson ndaj senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders dhe kandidatëve të tjerë të larmishëm demokratë që synojnë Shtëpinë e Bardhë, pjesërisht sepse shumë demokratë e shohin atë si një rival të fortë të Presidentit Donald Trump vitin e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell hollësi për garën brenda partisë:

Kandidati Joe Biden që kryeson mes demokratëve, bëri fushatë në shtetin New Hampshire, që është ndër të parët që voton për garën brenda partisë.

“Le të kujtohemi se cilët jemi. Jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi realizuar çdo objektiv që i kemi vënë vetes. Unë refuzoj që të lejoj që të vazhdojë frenimi i mundësive të këtij vendi dhe është momenti tani ta ndalim këtë administrate”, tha zoti Biden.

Ai e ka thelluar epërsinë në anketa që kur hyri në garë muajin e kaluar.

Por ai ende përballet me një grup të mobilizuar demokratësh që përfshin senatoren nga Masaçusesti, Elizabeth Warren.

“Na duhen ndryshime të mëdha në sistemin e këtij vendi!”, u shpreh ajo në një takim të fushatës.

Senatorja Warren është një nga disa kandidatet gra, mes së cilave edhe senatorja nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand.

“E di që mund të fitoj në shtete si Ohajo dhe Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsi, shtete ku duhet të fitojmë për të mundur presidentin Trump”, tha ajo.

Mbi 20 demokratë kanë hyrë deri tani në garë, përfshirë disa nga pakicat.

Zoti Biden duket të jetë duke përparuar në anketa sepse shumë demokratë e shohin si sfiduesin më të fortë të presidentit Trump.

“Shumë demokratë mendojnë se zoti Trump mund të mposhtet dhe se vendi ka probleme të mëdha nën drejtimin e tij dhe se ai po lë pa përfaqësim pjesë të mëdha të këtij vendi dhe duhet të frenohet dhe duhet të frenohet prej tyre”, thotë analisti Matt Dallek i Universitetit “George Washington”.

Zoti Trump duket se po e ndjek garën demokrate dhe vë shpesh në shënjestër zotin Biden dhe senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders, që aktualisht është i dyti në anketa.

“Alternativat janë ‘Joe i përgjumur’ dhe ‘Bernie i çmendur’, dhe unë fitoj ndaj secilit prej tyre. Zgjidhni dikë për të qenë dhe të fillojmë këtë garë”, u shpreh ai në një rast.

Shumë demokratë e kuptojnë se nuk do të jetë e lehtë të mundet presidenti Trump, thotë analisti Jim Kessler.

“Në garë ai duhet konsideruar si i preferuari sepse ai ka të paktën 50 për qind shans të fitojë dhe ndoshta edhe pak më shumë”, thotë ai.

Zoti Biden ka pasur një karrierë të gjatë si senator dhe pastaj si nënpresident, me një histori të gjatë politike që rivalët mund ta luftojnë, thotë Matt Dallek.

“Mendoj se rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë bëhet pak më e vështirë sepse ka aq shumë gjëra që mund të sulmohen. Dhe në një farë mënyre ka më shumë avantazhe nëse je relativisht pa përvojë, sepse nuk vihesh dhe aq shumë në shënjestër”, thotë ai. Por tani për tani, Joe Biden kryeson mes demokratëve, një pozicion që ai nuk e ka pasur kurrë në dy kandidaturat e mëparshme për president./VOA

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb