Kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara Joe Biden dhe Donald Trump kanë pikëpamje të ndryshme mbi çështjen e imigracionit. Dallimet e tyre mbi këtë çështje u shfaqën në debatin e tyre të parë presidencial. Pas kufizimit të përkohshëm të kërkesave për azil në kufirin SHBA-Meksikë, Presidenti Biden njoftoi masa mbrojtëse për emigrantët pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë. Ndërsa, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, zoti Trump thotë se do të nisë dëbimet në shkallë të gjerë, nëse ai i fiton zgjedhjet.
Presidenti amerikan Joe Biden thotë se disa emigrantë pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë do të lejohen të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme pa u larguar më parë nga vendi.
“Këto çifte kanë familje, i dërgojnë fëmijët e tyre në kishë dhe në shkollë, paguajnë taksa dhe kanë kontribuar në vendin tonë për dhjetë vjet ose më shumë”, thotë Presidenti Biden.
Lëvizja e zotit Biden pasoi vendimin e tij për pezullim të kërkesave për azil në kufirin SHBA-Meksikë, në rastet kur numri i emigrantëve që e kalojnë kufirin pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2,500 vetash.
“Unë nuk jam i interesuar të bëjë lojë politike me çështjen në kufi ose imigracionin. Unë jam i interesuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, tha ai.
Vendimi për pezullimin e kërkesave për azil në kufi nuk vlen për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, imigrantët me urgjenca mjekësore dhe fëmijët e pashoqëruar nga prindërit e tyre.
“Në fillim të mandatit të tij, Presidenti Biden, në përgjithësi kishte qëllime shumë të mira dhe politikat e tij ishin më pro emigrantëve. Por tani jemi në kohën e zgjedhjeve. Pra, tani duket se ka një trysni më të madhe nga grupe të ndryshme votuesish”, thotë Elizabeth Vaquera nga Universiteti George Washington.