Shtëpia e Bardhë njoftoi se nënpresidenti Joe Biden do të vizitojë këtë muaj Turqinë. Vizita e tij, e planifikuar për më 24 gusht, do të jetë e para e një udhëheqësi të lartë perëndimor në Turqi që nga grushti i dështuar i shtetit më 15 korrik. Vizita vjen në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara midis Ankarasë dhe Uashingtonit lidhur me kërkesat që SHBA të ekstradojnë një klerik mysliman i fajësuar për organizimin e grushtit të shtetit.


Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu njofton se zyrtarët turq kanë përgatitur një kërkesë zyrtare drejtuar SHBA për të arrestuar klerikun Fethullah Gylen.


Këtë javë ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, tha se Turqia ka marrë “sinjale pozitive” nga Uashingtoni në lidhje me ekstradimin e klerikut, ish-aleat i presidentit Erdogan.


Por kryeministri Binali Yildrim përsëriti se vizita e nënpresidentit nuk do të shërbejë për të hapur diskutime mbi një kompromis për këtë çështje.

“Përmirësimi i marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara varet nga ekstradimi i Gulenit, dhe në këtë çështje nuk ka vend për negociata,” tha zoti Yildrim, sipas CNN Turk.

Ankaraja ka bërë tashmë kërkesë për ekstradimin e Fethullah Gulenit, të cilin ajo e akuzon për komplot për të rrëzuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti.

Shtetet e Bashkuara janë përgjigjur se ato duhet të kenë dëshmi kundër klerikut, në mënyrë që të justifikojnë ekstradimin e tij në Turqi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: