TIRANE-Çmimi i naftës në pikat e tregtimit me pakicë shënoi një ulje me rreth 7 lekë për litër ditët e para të muajit janr, duke reflektuar rënien e tij në tregjet ndërkombëtare.

Kështu në pikat kryesore të tregtimit me pakicë të naftës në vend një litër naftë kushton 162 lekë dhe një litër benzinë 163 lekë, 6-7 lekë më pak se më parë.

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, nafta arriti në gati 180 lekë, duke reflektuar shtrenjtimin në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër. Në gusht 2015, nafta shënoi për herë të parë rënie, me 10 lekë për litër dhe në fillim të nëntorit u reduktua sërish me 6-7 lekë për litër.

Rënia e çmimit në bursa, ku nafta ka arritur nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit (rreth 33 dollarë për fuçi për treguesin referencë europian Brent) është arsyeja kryesore e kësaj tendence.

Bursat e huaja parashikojnë ulje të mëtejshme të çmimit, në një kohë që edhe vendet e Lindjes kanë rritur prodhimin.

Gjithsesi, ritmet e rënies janë më të ulëta se në shtetet e tjera, duke bërë që Shqipëria të renditet ndër venet me çmimin më të lartë në rajon, sipas një renditjeje të Global Petrol Price, të përditësuar në 5 janar të këtij viti. Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave.

Çmimet kanë rënë veçanërisht nga 4 dhjetori kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka vendosur kundër kufizimit të prodhimit.

(d.b/Atsh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: