Sipas të dhënave të Frontex, marrëveshjet mes Italisë dhe dy vendeve të Afrikës Veriore kanë dekurajuar udhëtimet e emigrantëve të paligjshëm. Rruga ballkanike është gjithashtu në rënie, ndërsa po shtuhen prurjet nga ishujt spanjollë
Një kolaps i vërtetë. Në Mesdheun qendror, udhëtimet e emigrantëve nga Afrika e Veriut, kryesisht drejt Italisë janë reduktuar në mënyrë drastike në vitin 2024. Këtë e vërtetojnë të dhënat e publikuara më 13 dhjetor nga Frontex, agjencia evropiane e kontrollit të kufijve. Në 11 muajt e parë të këtij viti ka pasur 60% më pak kalime të parregullta kufitare përgjatë rrugës së Mesdheut Qendror, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. “Masat parandaluese” të vendosura nga autoritetet e Libisë dhe Tunizisë ndikuan në uljen emigrantëve të paligjshëm. Këto janë dy vendet nga të cilat vijnë 92% e njerëzve që mbërrijnë në brigjet italiane.
Marrëveshjet e partneritetit janë nënshkruar me qeveritë e të dy vendeve për të intensifikuar kontrollet në territoret e tyre dhe për të parandaluar largimet. Rezultati është fryt i punës së kryeministres Giorgia Meloni. Duhet theksuar se në të gjithë Bashkimin Evropian ka pasur një rënie të ardhjeve të emigrantëve të paligjshëm. Megjithatë, duhet theksuar edhe bumi në rrugë relativisht të reja. Njëra është ajo që kalon nga Afrika Perëndimore përmes Ishujve Kanarie, për të zbritur më pas në Spanjë. Tjetri është ai që sheh mijëra burra që ikin nga lufta në Ukrainë, duke kaluar kufijtë lindorë të Evropës.
Në rënie me rreth 40% të migrantëve të parregullt në Bashkimin Evropian në 11 muajt e fundit kontribuoi kryesisht rënia e rrugës ballkanike (-80%), së bashku me atë të Mesdheut Qendror (-60%). Të dyja prekin Italinë. Sipas të dhënave të departamentit italian të sigurisë publike, “emigrantët e zbritur” nga 1 janari 2024 deri më 12 dhjetor 2024 ishin 64234, krahasuar me 153211 një vit më parë.
Për sa i përket vendit të origjinës, Bangladeshi dominon me mbi 13 mijë persona, i ndjekur nga Siria (pak mbi 12 mijë) dhe Tunizia (rreth 7600). Egjipti, Guinea, Pakistani, Eritrea, Mali, Sudani dhe Gambia janë shtetet e tjera nga mbërrijnë të paktën 1 mijë emigrantë në Itali. Për sa i përket të dhënave për të miturit e huaj të pashoqëruar, krahasuar me mbi 18 mijë hyrjet në vitin 2023, këtë vit shifrat janë 7879.
Duket se shifrat në rënie kanë kthyer buzëqeshjen për Qeverinë Meloni, e cila pikën e saj të fortë ka luftën kundër emigracionit të paligjshëm.
Rënia e pranimeve mund t’i atribuohet kryesisht dy marrëveshjeve. Njëra është Memorandumi i Mirëkuptimit për migracionin, nënshkruar në shkurt 2017, midis qeverive italiane dhe libiane për të mbajtur efektivisht migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit jashtë Evropës. Marrëveshja u firmos nga Marco Minniti, ministër i Brendshëm i qeverisë së drejtuar nga kryeministri Paolo Gentiloni (Pd). Memorandumi u rinovua në vitin 2022. Dhe e dyta është marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe Tunizisë në korrik 2023.
Në këtë rast ishte Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen që mbylli traktatin me Presidentin Kaïs Saïed, por roli i Melonit ishte thelbësor, së bashku me atë të kryeministrit të atëhershëm holandez Mark Rutte, që sot drejton NATO-n.
Të dhënat e agjencisë Frontex tregojnë se përsa i takon rrugës së Afrikës Perëndimore, ajo që të çon në Ishujt Kanarie, që janë pjesë e Spanjës, viti 2024 shënoi një “rekord” të vërtetë, me mbi 41800 persona që kanë zbarkuar.
Mesdheu Lindor është gjithashtu në rritje (+18%). Emigrantët që largohen nga hapësira e BE-së, më konkretisht nga Franca përmes Kanalit drejt Mbretërisë së Bashkuar janë gjithashtu në rritje. Këtë vit 62124 persona e realizuar këtë (+6%). Ky vit shënon edhe rritje të hyrjeve nga kufijtë lindorë dhe nga toka, me 16530 hyrje (+200%). Shumica dërrmuese e tyre janë burra të regjistruar, që ikin nga lufta e Ukrainës.